Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Portugalisë, në Kosovë, Jorge Ayres Roza De Oliveira.
Pasi që i ka uruar mirëseardhje ambasadorit të ri portugez, Osmani ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë shumë të mira dhe shfaqi besimin se zhvillimet pozitive të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës e Portugalisë do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ambasadorit De Oliveira, bëhet e ditur në një komunikatë për media.
“Me ambasadorin De Oliveira, presidentja Osmani ka diskutuar edhe sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Presidentja Osmani ka falënderuar Portugalinë për mbështetjen e tyre të parezervë në këto dy procese si dhe ka përsëritur qëndrimin se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se duhet të merret për bazë rekomandimi i Komisionit Evropian për t`i hequr vizat”, bëhet e ditur në konferencë për media.
Sipas Osmanit, është e domosdoshme vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke dhe se hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.
Sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, bëhet e ditur se Osmani ka potencuar se anëtarësimi në këtë organizatë është në funksion të fuqizimit të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Osmani dhe ambasadori De Oliveira diskutuan edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fusha specifike, sikurse ajo e politikës së jashtme, mbrojtjes, arsimit, turizmit dhe sfera të tjera të interesit të përbashkët.