UBT News

​Osmani pjesë e konferencës së Fondit Global për Angazhimin dhe Qëndrueshmërinë e Komunitetit

Me ftesë të Presidentit të Nigerit Mohamed Bazoum dhe Presidentit të Konfederatës Zvicerane Ignazio Cassis, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në New York, ka marrë pjesë në një konferencë të Fondit Global për Angazhimin dhe Qëndrueshmërinë e Komunitetit, në të cilën ka konfirmuar përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Presidentja Osmani ka theksuar se bashkëpunimi mes shteteve është i domosdoshëm dhe në funksion të mbrojtjes së atyre që rrezikohen nga grupe e dhunshme ekstremiste dhe organizata terroriste.

Në këtë Konferencë, Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova është mbështetur nga Fondi Global i Angazhimit dhe Rezistencës së Komunitetit, ndaj sipas saj, kësaj radhe shteti i Kosovës ka vendosur të kontribuojë duke e mbështetur Fondin.

Sipas Presidentes Osmani, në luftimin e sfidave të përbashkëta, duhet qëndruar bashkërisht.

Bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi qëndron në thelbin e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të gjata ndaj kërcënimeve sistematike, të cilat minojnë prosperitetin e shoqërive tona”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke shtuar se vendosmëria dhe këmbëngulja janë rruga jonë përpara.

Exit mobile version