Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar presidentin e Gjermanisë Frank- Walter Steinmeier për urimin me rastin e festës së pavarësisë së Kosovës.
Osmani ka thënë se është me fat që përgjatë rrugëtimit të saj sfidues ka pranë shtetet si Gjermania dhe miq si presidenti Steinmeier.
“E falënderoj Presidentin e Gjermanisë, z. Frank-Walter Steinmeier, për urimin e përzemërt për shtetin tonë, në prag të festës së pavarësisë. Ai thekson se e mban mend mirë 17 shkurtin 2008, meqë atëherë ishte ministër i punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe menjëherë ishte deklaruar pro njohjes së Kosovës. Për më tepër, ai i jep mbështetje të fuqishme institucioneve të Kosovës në agjendën e reformave dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, si një faktor qendror për zhvillim ekonomik dhe investime të reja. Gjatë takimit tonë të fundit, kur me ftesë të tij e vizitova Gjermaninë zyrtarisht, Presidenti Steinmeier ritheksoi përkrahjen e palëkundur të shtetit të tij si dhe përkrahjen e tij personale për rrugën e Kosovës drejt arritjes së konsolidimit të plotë në arenën ndërkombëtare. Kosova është me fat që përgjatë rrugëtimit të saj sfidues ka pranë shtete si Gjermania dhe miq si Presidenti Steinmeier”, ka shkruar presidentja Osmani.
Frank-Walter Steinmeier mes tjerash në letër i ka shkruar Osmanit se “Gjermania mbështet fuqishëm perspektivën e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”.