UBT News

​Osmani për Trustin: Kuvendi të merr vendim që mbron interesin e qytetarëve

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka komentuar sot tërheqjen e mundshme të parave nga Trusti deri në 30 për qind.

Ajo pas takimit me të parin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se i takon Kuvendit që të merr vendime që mbrojnë interesin e qytetarëve.

“Ky siç e dini është vendim i Kuvendit të Kosovës. Presidenca e Republikës nuk e merr atë vendim. Ajo çka dua t’i inkurajoj deputetët e Kuvendit të Kosovës është që të marrin një vendim që mbron interesin afatgjatë të qytetarëve të Republikës sonë. Deputeti duhet të ndihet i lirë për të marrë vendim në interes të popullit, andaj të kontribuojmë të gjithë bashkërisht në këtë drejtim që deputeti të ndihet i lirë pavarësisht se cilës parti i takon dhe ta ketë për bazë edhe ekspertizën që jepen nga institucionet vendore e ndërkombëtare”, u shpreh ajo.

E pyetur për mundësinë që Kosova të ketë zgjedhje të reja, presidentja Osmani tha se duke parë stabilitetin politik dhe bashkëpunimin e fuqishëm me shtetet mike nuk e sheh që në një kohë të afërt të ketë zgjedhje Kosova.

“Sinqerisht nuk kam dëgjuar zëra të tillë ndoshta për shkak se shoh një stabilitet politik në Kosovë, të cilin nuk e kemi parë që një kohë të gjatë, stabilitet që dëshmohet jo vetëm në numrat në Kuvend, por edhe në projektet afatgjate të cilët janë duke u planifikuar në bashkëpunimin ndërmjet dikastereve qeveritare për t’i shtyrë përpara. Shoh një partneritet shumë të fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe shteteve mike filluar nga SHBA-ja e shtetet e Bashkimit Evropian. Kur i shoh këto të gjitha bashkërisht, nuk shoh që një gjë e tillë është afër”, theksoi Osmani.

E para e vendit ka folur edhe rreth Festës së Abetares, organizuar nga komuna e Pejës, ku ishte raportuar se një grup nxënësish të komuniteteve rom, ashkali e egjiptas ishin injoruar. Osmani u shpreh se nga kryetari i kësaj komuna u njoftua se situata nuk është ashtu siç është paraqitur publikisht.

Ajo u shpreh se janë të përkushtuar që diskriminimi mos të gjejë vend në Kosovë.

“Në këtë 1 qershor dua të përsëris përkushtimin tonë të plotë që secili fëmijë i Kosovës, pavarësisht etnisë, statusit social të komunës ku jeton, të kenë të drejta të barabarta dhe t’u jepet shansi për të shkëlqyer. Përkundër faktit që situata nuk ka qenë e tillë siç është paraqitur publikisht, dua ta them kështu në përgjithësi që është detyrë e secilit prej nesh jo vetëm si institucione, por edhe detyrë morale që kudo që shohim raste të diskriminimit, t’i ndalojmë ato dhe t’i luftojmë ato, sepse nuk mund ta mohojmë që ato ndodhin në vende të ndryshme në Kosovë kohë pas kohe”, u shpreh ajo.

Në kuadër të kësaj vizitë në komunën e Pejës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të vizitojë ekspozitën e përgatitur nga fëmijët me nevoja të veçanta, po ashtu do të zhvillojë takim me OJQ-të nga komunitetet jo-shumicë.

Exit mobile version