UBT News

​Osmani për helmimin në Deçan: Hetuesia ta trajtojë me urgjencë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vizitoi Komunën e Deçanit pas helmimit të më shumë se 1 mijë e 500 personave. Ajo qëndroi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe deklaroi se Qeveria e Kosovës ka marrë të gjitha masat që kjo QKMF të furnizohet me të gjitha barnat e nevojshme për të trajtuar pacientët të cilët janë shtrirë si pasojë e helmimeve shkaku i të cilave nuk dihet ende. Osmani kërkoi nga institucionet përgjegjëse që këtë rast ta trajtojnë me urgjencë.

Presidentja Osmani pas kësaj vizite tha se ka qytetarë të Deçanit të helmuar që janë furnizuar me ujë nga burime të tjera.

“Edhe sot u rikonfirmua se Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha masat në mënyrë që kjo qendër të furnizohet me barna të mjaftueshme për të trajtuar këtë gjendje të qytetarëve tanë. Janë duke u ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm. Ne do të presim rezultatin e hetimeve, është një rast shumë i çuditshëm sepse deri sot kryesisht fshatrat nga kanë ardhur qytetarët e helmuar kanë qenë të furnizuar nga një burim i vetëm i ujit por si duket në ndërkohë ka edhe qytetarë të tjerë që vijnë nga fshatra të tjera të cilët nuk janë furnizuar nga ai burim i ujit por nga burime të tjera. Prandaj, përveç analizave kimike të ujit që kanë përfunduar tani po presim edhe analizat biologjike që pritet brenda disa orësh të përfundojnë. […] Pres që institucionet e drejtësisë dhe ato të hetuesisë ta trajtojnë rastin me urgjencë jo vetëm për shkak se Komuna e Deçanit ka shpallur gjendjen emergjente, por sepse kjo është çështje e interesit publik sepse ka të bëjë me shëndetin publik të qytetarëve dhe është e domosdoshme të trajtohet me urgjencë sa më parë të jetë e mundur ta dimë shkakun që ka krijuar një situatë të tillë për shëndetin e qytetarëve tanë. Si institucione ofruam gjithë mbështetjen tonë, i ofruam mbështetje Komunës në mënyrë që çfarëdo nevoje që ka për ta mbështetur Komunën dhe në veçanti QKMF-në për tu përballur me këtë situatë”, tha ajo.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla tha se Qeveria e Kosovës ka vënë në dispozicion të gjithë potencialin e saj për të tejkaluar këtë situatë emergjente në Deçan.

“Shpallja e gjendjes emergjente edhe njëherë na vë parasysh se me çfarë gjendje kemi të bëjmë. Si qeveri kemi filluar koordinimin edhe mes kolegëve të tjerë për të gjetur zgjidhjet që nevojiten në Komunë. […] Si qeveri jemi shumë të interesuar që të punojmë dhe të ndihmojmë në çdo aspekt në gjetjen e burimit të këtij infektimi. Ajo çfarë fillimisht është menduar se mund të jetë pasojë e njëfarë mikrobi në ujë ajo momentalisht nuk është konfirmuar është detyrë e jona të jemi në kërkim të saj të vëmë në dispozicion të gjithë potencialin tonë. Si Qeveri e Kosovës më lejoni që të them se të gjithë potencialin dhe mundësitë tona janë në dispozicion të Komunës së Deçanit për tejkalim të kësaj gjendje”, u shpreh Gërvalla.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj deklaroi se gjatë ditës së sotme kujdesi ka qenë më i shtuar edhe nga niveli qendror që i kanë dalë në ndihmë kësaj komune për nevoja aktuale në drejtim të tejkalimit të kësaj gjendje. Ai tha se përkundër që të dielën ishte ndërprerë uji në fshatrat ku dyshohet se është bërë helmimi, tashmë sot është lejuar përdorimi i ujit vetëm për sanitari dhe amvisëri.

“Deri tani kemi arritur ta kontrollojmë këtë virus apo lloj helmimi, sot ka qenë një kujdes më i shtuar sepse edhe institucionet e nivelit qendror na kanë dalë në ndihmë së me ato që janë elementare dhe të nevojshme tani për tani. Deri më tash nuk mund të flas për diçka që është ekspertizë pa dalë rezultatet dhe analizat e duhura. Në ditën e diele kemi marrë vendim që ta ndalim ujin për 24 orë, ndërkaq sot kemi dhënë leje që uji të përdoret sidomos për sanitari dhe amvisëri me kriteret që i kemi përcaktuar në ndërkohë jemi duke u munduar që këta qytetarë t’i furnizojmë me ujë të pijes në çfarëdo rrethane”, tha ai.

Në komunën e Deçanit pacientët e infektuar i ka vizituar sot paradite edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministri Mbrojtjes, Armend Mehaj. Ndërsa, kjo komunë për shkak të situatës së krijuar ka shpallur edhe gjendje emergjente.

Deri më tani numri i pacientëve që po dyshohet se janë helmuar në Deçan është rreth 1 mijë e 500.

Ndërsa, gjatë ditës është raportuar edhe për vdekjen e dy personave të cilët kanë vdekur në spitalin e Pejës, por pretendimet se të njëjtit kanë qenë të helmuar me ujë i ka hedhur poshtë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. 

Exit mobile version