Presidentja Vjosa Osmani ka vizituar sot Klinikën e Onkologjisë, në kuadër të muajit të luftës kundër kancerit të gjirit. Ajo premtoi mbështetje për këtë klinikë, derisa sugjeroi Qeverinë dhe Kuvendin që shëndetësia të jetë prioritet mbi prioritete në hartimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.
E para e shtetit pas takimit me krerët e ShSKUK-së, tha se ajo nuk ka shkuar në Onkologji vetëm për të rritur vetëdijesimin për kancerin e gjirit, por me ndihmë konkrete për 100 paciente.
“Ne sot nuk kemi ardhur vetëm të flasim, por kemi ardhur me ndihmë konkrete për 100 paciente dhe veprimin konkret që kjo nga viti i ardhshëm të shndërrohet në 400 paciente. Sa i përket tremujorit të fundit, tashmë drejtoresha na njoftoi se ka pasur një sigurim të buxhetit të nevojshëm që realizohen kërkesat sa i përket barnave esenciale, pasi çështja e barnave që shfrytëzohen në mënyrë të personalizuar… Nuk është shkencë raketore, por janë kërkesa të realizueshme që mund të realizohen kur ka vullnet politik. Siç e thash kur miratohet buxheti duhet prioritet mbi prioritete të vendoset shëndetësia”, tha ajo.
Donacionin e presidentes Osmani e mirëpriti drejtoresha e ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi, e cila tha se do të insistojnë që të ardhmen të ketë një paketë të rregullt për trajtimin e kancerit të gjirit.
“Do të insistojmë të ardhmen që kjo të jetë paketë të rregullt të trajtimit të sëmundjeve malinje, këtë rast tek gratë me kancer të gjirit. Normalisht, sfida ekzistojnë, këto do të adresohen të ardhmen me shumë seriozitet nga menaxhmenti në ShSKUK, por gjithashtu në vazhdimësi kemi edhe mbështetjen nga qeveria dhe presidenca”, theksoi ajo.
Ndërkohë drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi tha se qëllimi i tyre është që pacientët të marrin trajtimin meritor.
“Dymbëdhjetë muaj jemi rozë dhe mundohemi të japim shërbime dhe t’i trajtojmë në mënyrën më meritore pacientët tanë dhe jo vetëm. Në takimin e përbashkët që e kishim, presidentja ishte e hapur dhe vazhdon të mbetet simbol i përkrahjes dhe mbështetjes për neve si institucion, por gjithmonë në qendër edhe pacientin. Qëllimi është që pacientët tanë në një vend që ka shumë mangësi të marrin trajtimin meritor dhe mos të kemi defekte asnjëherë. Ky donacion që duket i vogël për ata që e japin, por do të thotë shumë për ata që marrin”, tha ai.
Nga ana tjetër, Nafije Latifi, drejtuesja e qendrës “Jeta Vita”, sugjeroi gjithë qytetaret që të bëjnë kontrolle, në mënyrë që sëmundja për kancerin e gjirit të zbulohet më herët.
“Ne si shoqatë jemi munduar të arrijmë te çdo qytetar që të ketë kujdes për shëndetin e vet, të bëjë kontrolle, në mënyrë që sëmundja të zbulohet më herët, pasi nuk ka parandalim”, tha ajo.
Në kuadër të donacionit, presidentja Osmani dhuroi 100 komplete-100 proteza silikoni dhe 100 gjoksore, po ashtu edhe 100 paruka për pacientët me kancer të gjirit.