Në një vjetorin e invazionit rus në Ukrainë, Kosova ka ndarë letra falënderimi për gazetarët ukrainas që janë strehuar në Kosovë. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore kanë deklaruar se Kosova do të mbështesë Ukrainën deri në fund të kësaj lufte që sipas tyre është luftë për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe demokracisë kudo në botë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se fitorja e Ukrainës është fitore për secilin që beson në vlerat e demokracisë.
“Kjo nuk është vetëm luftë e tyre, lufta e Ukrainës është luftë për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe demokracisë kudo në botë. Prandaj futorja e tyre e tyre është fitore e gjithsecilit që beson në këto vlera. Është e në veçanti fitore edhe e popujve që kanë sakrifikuar shumë për liri e demokraci siç është populli i Kosovës. Ne kemi hapur zemrat dhe dyert duke mbështetur gazetarë nga Ukraina sepse ua njohim dhimbjen, e njohim rëndësinë e rrëfimit dhe mbrojtjes të së vërtetës, dhe sepse jemi me ta në këto orë të errëta të historisë së tyre. Ukraina nuk do të jetë asnjëherë vetëm sepse atje po mbrohet çdo ditë Evropa e tërë dhe e lirë”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se në vitin 1999 në Kosovë është dëshmuar se një popull liridashës e me miq në krah del gjithmonë triumfues dhe sipas saj ashtu do të ndodh edhe me shtetin e Urkainës.
“Më 1999 bota demokratike u vu në anën e Kosovës duke na mbrojtur nga shfarosja prej regjimit gjenocidale të Millosheviqit. Sot, bota demokratike është në anën e Ukrainës sepse e drejta është në anën e saj. Por viti 1999 në Kosovë dhe ky vit që po e lëmë pas në Ukrainë duhet të na mësojë edhe shumë mësime të tjera, mbi të gjitha nuk duhet të harrojmë se kush ishin ata që ishin në krah të Millosheviqit në vitin 1999 e që qëndrojnë në krah të Putinit sot në vitin 2023. E të kuptojmë njëherë e mirë se ata që avokojnë për gjenocid njëherë nuk mund të shndërrohen në agjendë të paqes asnjëherë”, ka shtuar Osmani.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se 12 gazetarët e Ukrainës që janë strehuar në Kosovë po e kompensojnë mungesën e afërsisë në mes të dy popujve që ishte me dekada.
“Ju i keni shkrirë këta akuj me zemrat tuaja, me dashamirësinë tuaj, duke e respektuar dhe falënderuar shtetin e Kosovës dhe duke e bërë më të mirën që populli juaj i cili është atje dhe po lufton, po vuan dhe po sakrifikon, ta dijë të vërtetën e cila e vërtetë na bashkon, e kjo e vërtetë është rruga nëpër të cilën kemi kaluar. Qytetarët e Kosovës para 24 vitesh ishin në këpucët tuaja, ne u përballem me një regjim gjenocidal i cili vrau qytetarë të pafajshëm, të paarmatosur, fëmijë, gra e pleq të popullit tonë dhe i cili regjim e shtet jo vetëm që i bëri të gjitha këto por kurr nuk u distancua nga këto veprime dhe nga këto krime të luftës e nga këto akte të gjenocidit që i bëri mbi popullin tonë të pafajshëm”, ka thënë Konjufca.
Ai ka theksuar se Kosova do të qëndrojë deri në fudn të kuaj lufte me populli ne Ukrainës dhe sipas tij fitorja e merituar do të vijë në ditët në vijim.
E kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Ukraina duhet të fitojë sepse vetëm në këtë mënyrë do të ruhet paqja dhe demokracia në kontinentin e Evropës.
“Të paktën 487 fëmijë janë vrarë dhe 954 janë plagosur, gati 18 milion njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare kurse 14 milion njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Kostoja e dëmeve të luftës ka arritur në 138 miliardë dollarë kurse kostoja e rindërtimit llogaritet të jetë në 350 miliardë. Populli i Kosovës i kupton shumë mirë këto shifra, vajtjet dhe dhimbjet që shkaktojnë për vitet e dekadat që vinë. E në një ditë të zymtë si kjo, megjithatë jemi të lumtur që Kosova jonë është bërë shtëpi e 12 gazetarëve ukrainas, Me urimin që është bërë shtëpi edhe si ndjenjë përveç si strehë do të jemi pranë jush si popull, si shoqëri, si institucione, si dje, si sot, si nesër. Rezistencë, solidaritet, mbështetje deri në fitore. Ukraina duhet të fitojë sepse vetëm kështu do të ruhet paqja dhe demokracia në kontinentin e Evropës”, ka thënë Kurti.
Ndërsa në emër të gazetarëve ukrainas ka folur Liudmyla Makei e cila ka treguar përkrahjen që po e marrin nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
“Po ndjehemi mirë dhe të qetë, çdo ditë ndjejmë mbështetjen e politikanëve, kolegëve gazetarë të Asociacionit të gazetarëve të Kosovës dhe qytetarëve të thjeshtë që na ofrohen bë rrugë dhe na pyesin se si i kemi familjet. Këtu nuk fluturojnë raketat, mendime tona janë gjithmonë me Ukrainën, ju më kuptoni më së miri sepse vet kosovarët i mbijetuan luftës dhe ende e mbajnë në mend këtë dhimbje dhe në të njëjtën kohë ju si askush tjetër e dini çmimin e fitores dhe besoj që edhe Ukraina do të fitojë, së bashku do ta festojmë fitoren Ukraina dhe Kosova të cilat janë afruar shumë me njëra tjetrën këtë vit”, ka thënë ajo.
Gazetarët ukrainas janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit :Journalists in Residence-Kosovo”, iniciuar nga Eurpoean Centre for Press And Media Freedom ECPMF dhe mbështetur nga financiarisht nga Qeveria e Kosovës.
Më 24 shkurt 2022 ka filluar invazionit rus në Ukrainë, luftë kjo e cila ka shkaktuar humbje jete të njerëzit, shpërngulje si dhe janë shkatërruar qytete.