UBT News

​Osmani në samitin në Tiranë: Vuçiq vazhdimësi e mendësisë së viteve të 90-ta

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është vazhdimësi e mendësisë së vjetër e viteve të 90-ta. Sipas saj, dialogu i udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga ShBA-ja është e vetmja rrugë drejt marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Kështu është deklaruar ajo, teksa ka mbërritur për Samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili po mbahet në Tiranë. Kryetarja e shtetit ka theksuar se ky samit nuk është vend për dialog apo negociata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo para gazetarëve ka shtuar se Bashkimi Evropian duhet të lëvizë nga fjalët në vepra.

Samitin që po mbahet në kryeqytetin shqiptar, Osmani e ka quajtur iniciativë shumë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe për Bashkimin Evropian.

“Për fat të keq, Vuçiq është vazhdimësi e një mendësie që ka ekzistuar në vitet ’90 në Serbi dhe është saktësisht kjo mendësi që çoi në luftë, në shkatërrim, në vrasje në 150 mijë civilëve që është mentalitet, që duhet të refuzohet nga të gjithë… Ajo çfarë po tregon Kosova këto ditë është maksimumi i asaj çfarë tregon Vuciqi. Edhe pse ata asnjëherë nuk kanë kërkuar falje për krimet që kanë kryer dhe ne besojmë se dialogu i udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur plotësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e vetmja rrugë përpara drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare që është në qendër të njohjes reciproke”, ka deklaruar Osmani.

Kryetarja e Kosovës ka shtuar se është lidere e vendit më pro-evropian, duke shtuar se Kosova në fund të vitit do të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në BE.

“Shpresoj se konkluzionet si dhe deklaratat do të shfaqin këtë përbashkësi të Bashkimit Evropian drejt një procesi të përshpejtuar për Ballkanin Perëndimor. Në të njëjtën kohë, unë jam këtu si lider i vendit më pro evropian që ekziston dhe në këtë kuptim, ne kemi treguar përkushtimin ndaj Bashkimit Evropian dhe vlerave të BE-së në çdo veprim që kemi ndërmarrë, veçanërisht kur jemi te harmonizimi 100% me BE-në për çdo vendim të politikës së jashtme dhe sigurisë, përafrimi ndaj sanksioneve kundër Rusisë si dhe në refuzimin e çdo ndikimi dhe faktori keqdashës siç janë Rusia dhe Kina, por në të njëjtën kohë na duhet që BE-ja të lëvizë nga fjalët në vepra. Sidomos kur është fjala për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por siç e dini dhe siç do të njoftoj sot këtu para të gjithë liderëve të BE-së, Kosova do të dorëzojë aplikacionin e saj për anëtarësim në BE deri në fund të këtij viti, dhe sigurisht, shpresojmë përmes mbështetjes së plotë të anëtarëve të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Osmani.

Mes tjerash, presidentja Osmani ka shtuar se ky samit nuk është vend për dialog apo negociata mes Kosovës e Serbisë.


“ Ky është një takim mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe këtu nuk është vendi për dialog apo negociata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç e dini, është një proces i veçantë që po e përsëris, është i lehtësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, por është një proces i cili besojmë se duhet të përqendrohet në njohjen reciproke, dhe në të njëjtën kohë të mbrojë dhe ruajë integritetin territorial të Kosovës dhe sovranitetin si karakter unitar, si dhe sistemin e saj kushtetues”,
 ka shtuar Osmani.

Teksa është deklaruar për liberalizimin e vizave për Kosovën, Osmani theksoi se edhe sot në këtë samit do të bëjë thirrje për mbështetje në mbledhjen e këshillit që do të mbahet gjatë këtij muaji.

“Ndërkohë, ajo që ndodhi është se Maqedonia e Veriut, e ashtu edhe Shqipëria, kanë ecur përpara me hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Dhe sigurisht, ka pasur edhe një vendim të ambasadorëve të BE-së, vendim njëzëri për mbështetjen e plotë të liberalizimit të vizave për Kosovën, ku shpresojmë dhe besojmë që do t’iu bëjmë thirrje të gjithë liderëve sot që ta votojnë pro, në konkluzionet e mbledhjes së këshillit që do të mbahet më 15 dhjetor. Dhe mendoj se ky do të ishte një hap i madh përpara për t’i dhënë një sinjal të qartë Ballkanit Perëndimor se ka rëndësi nëse qëndroni me vlerat e BE-së apo jo, sepse ndonjëherë më duhet të pranoj se ka mesazhe të çuditshme që dërgohen, sepse nga njëra anë, ju keni vende që janë plotësisht të lidhura me Bashkimin Evropian dhe nga ana tjetër, keni vende të tjera që janë plotësisht të lidhura me Putinin. Ata nuk duhet të trajtohen njësoj. Ose je krah Ukrainës, ose krah Rusisë dhe kjo duhet të vlejë”, ka përfunduar Osmani.

Në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor është arritur marrëveshja për tarifat Roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, e cila cakton uljen e tarifave në vitin e ardhshëm.

Samiti që po mbahet në Tiranë është i pari që po zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në Bashkim Evropian dhe ka në agjendë krizat energjetike, luftën në Ukrainë si dhe krizën e migracionit. Ndërsa punimet e samitit do të zhvillohen në ambientet e stadiumit Arena Kombëtare.

Exit mobile version