Në përvjetorin e masakrës në lagjen e Kovaçëve, presidentja Vjosa Osmani ka vendosur lule te pllaka përkujtimore e të rënëve në Mitrovicë. Ajo deklaroi se ende nuk ka drejtësi për të vrarët, ndërkohë që Serbia po i mbron kriminelët.
Gjatë vizitës së saj në Mitrovicë, ajo bashkë me kryetarin Bedri Hamza kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore ku janë të vendosur emrat e të rënëve. E para e shtetit u shpreh se gjaku i gjithë atyre që dhanë jetën për liri, asnjëherë nuk do të shkojë huq.
“Dhimbja nuk mund të përshkruhet, por në të njëjtën kohë të gjithë bashkërisht jemi krenar që ka qenë pikërisht sakrifica e njerëzve tanë nga Mitrovica dhe vendet tjera nga Kosova që i kanë ndërtuar themelet e shtetit tonë të lirë. Sepse, pa këtë sakrificë ne kurrë nuk do të mund ta gëzonim shtetin tonë. Megjithatë, liria jonë kurrë nuk do të jetë e plotë në qoftë se nuk ka drejtësi për të gjithë ata që i humbëm. Fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite, kur po e përkujtojmë këtë masakër dhe çdo ditë tjetër kur përkujtojmë edhe masakra të tjera edhe në Mitrovicë dhe anekënd Kosovës, duhet ta përsërisim që kriminelët që kanë kryer këto krime enden të lirë. Serbia ata i mbron, as nuk i vendos para drejtësisë, as nuk kërkon falje për ato krime, përkundrazi i glorifikon dhe mbron kriminelët”, ka thënë Osmani.
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza tha se sot po nderojnë të rënët të cilët shënojnë themelet e lirisë së vendit.
“Ne nuk do të ndalemi. Ju keni shumë të drejtë kur kërkoni drejtësi për familjarët e tyre. Ne si institucione duhet të bëjmë punën tonë që vazhdimisht në çdo takim dhe instancë të kërkojmë drejtësi për këtë masakër që ka ndodhur para 23 vjetësh këtu në rrugën e Kovaçëve. Këtu kanë rënë njerëzit e devotshëm, të ndershëm, njerëzit e mirë të Mitrovicës. Këtu ka qenë një prej masakrave të mëdha, të cilat kanë ndodhur në Kosovë nga ata që sot realisht nuk kërkojnë falje, nuk i pranojnë fajet dhe nuk reflektojnë në gabimet e tyre të errëta”, ka thënë Hamza.
Para 23 vjetësh, në lagjen e Kovaçëve janë vrarë 31 shqiptarë nga kriminelët serbë.