Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në njëvjetorin e marrjes së detyrës, ka paraqitur angazhimin e saj në politikën e jashtme dhe asaj të brendshme, duke thënë se në çdo takim është përpjekur ta përmirësojë imazhin dhe subjektivitetit e vendit tonë.
Osmani në një konferencë për media, ka thënë se përgjatë një viti ka përfaqësuar vendin brenda dhe jashtë, duke përfaqësuar me nder dhe dinjitet detyrat dhe funksionet kushtetuese, si dhe gjithnjë ka pas në fokus interesin shtetëror. Ajo përmendi vizitat në Gjermani, Zvicër, ShBA, Shqipëri, Austria, Slloveni, Portugali, Estoni, Kanada, Belgjikë, Turqi, Japoni, Maltë e vende të tjera, ku ka takuar dhjetëra krerë shtetesh. Sipas saj, në çdo takim është përpjekur për përmirësim të imazhit dhe subjektivitetit të Kosovës.
“Jam përpjekur maksimalisht që krahas me përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të vendit, të punojë edhe për subjektivitetin ndërkombëtar. Politika jonë e jashtme mbetet reflektim edhe i asaj se sa jemi shtet i fuqishëm përbrenda, prandaj kam mbrojtur në çdo takim e në çdo rast interesat e shtetit sovran të Kosovës, duke paraqitur njëkohësisht potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë e që është të rinisë tonë të mrekullishme….siç e tha edhe presidenti Biden së fundmi, Kosova vazhdimisht ka treguar, edhe përgjatë këtij viti lidership në arenën ndërkombëtare. Vendi ynë mbetet i palëkundur në orientimin euroatlantik dhe këtë po e dëshmon çdo ditë me veprime konkrete. Për gjatë kësaj periudhe kam takuar edhe përfaqësues të shteteve jonjohëse, të cilat për arsye strategjike, duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, do të bëhen publike sapo të kemi rezultate konkrete”, ka thënë ajo.
Sipas saj, vendi ynë çdo ditë e më shumë po shndërrohet vend nikoqir të vizitave të nivelit të lartë sepse tashmë rajoni dhe bota po e kupton se vendi ynë është një vend serioz, i gatshëm për t’u ballafaquar me sfida dhe i pjekur për të kontribuar në projekte rajonale e ndërkombëtare, derisa paralajmëroi se Kosovën së shpejti do ta vizitojë presidenti i Letonisë dhe ai i Malit të Zi.
Ajo foli edhe për emërimin e shefave të misioneve, duke thënë se diku tre të katërtat do të jenë diplomatë karriere dhe vetme një e katërta të emëruar sipas çelësit politik. E si komandante supreme foli edhe për ushtrinë.
“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ushtritë tjera partnere po zhvillojmë diskutimet për intensifikim të bashkëpunimit bilateral ushtarak dhe në çdo vizitë timen jashtë vendit, por edhe kur kam prit mysafirë këtu brenda kam iniciuar thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe kjo është bërë edhe më e domosdoshme siç e dini me zhvillimet e fundit në kontinentin tonë”, tha ai.
Ajo tha se është angazhuar për sigurimin e vaksinave dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe fëmijëve. Megjithatë, nuk e tha asnjë fjalë sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.