UBT News

​Osmani në 22-vjetorin e bombardimeve të NATO-s: Rilindëm për ta ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi premisën e lirisë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 24 marsin e vitit 1999, ku 22 vite më parë NATO filloi bombardimet kundër ushtrisë dhe policisë serbe.

Osmani në një shkrim në Facebook u shpreh se kjo ditë është ditë e shpresës duke thënë se “kur pushteti serb po synonte shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, vendet anëtare të BE-së dhe Aleanca e NATO-s vendosën të parandalojnë një gjë të tillë duke i dhënë fund regjimit gjenocidal të Serbisë”.

“Kemi bërë një rrugëtim të gjatë që nga ajo ditë. Përgjatë këtij rrugëtimi, mbrojtësit e lirisë sonë u shndërruan në mbështetësit më të fortë të procesit të shtetndërtimit të Republikës së re. Vendi ynë , Kosova jonë e dashur, po fuqizohet me mbështetjen e miqve tanë. Ka shumë punë për t’u bërë, por ne jemi të vendosur të punojmë fort e ta mbrojmë lirinë tonë me çdo kusht. Kjo datë është rikujtim historik për vuajtjet, vrasjet, të pagjeturit, dhunimet e dëmet që shkaktoi regjimi serb. Është rikujtim për breza të tërë që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot e për luftën e drejtë çlirimtare të popullit tonë. Në këtë datë, vlera e lirisë dhe e demokracisë kanë marrë një dimenzion të ri për ne por edhe për gjithë botën demokratike, e këto vlera mbeten përkushtim i yni i përhershëm. Të rikujtojmë për të mos harruar me shikimin e qartë kah e ardhmja! E ardhmja është me Republikën e Kosovës anëtare të aleancës sonë shpëtimtare-anëtare të NATO-s”, shkroi ajo në Facebook.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbi-Mali i Zi./UBTNews

Exit mobile version