Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në një takim ministrin kroat për punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Gordan Grliq-Radman nga i cili ka marrë konfirmimin për sjelljen e një donacioni të Kroacisë prej 10 mijë vaksinash për qytetarët tanë.
Osmani ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë nuk duhet ndërlidhur me liberalizimin e vizave, ngase sipas saj Kosova tashmë ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, pavarësisht se ka pas dyfish kritere më shumë se sa vendet e tjera.
Osmani ka kërkuar mbështetjen kroate në këtë proces dhe ministri Grliq-Radman rikonfirmoi mbështetjen e Kroacisë.
“Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave menjëherë, sepse Kosova i ka plotësuar kriteret ndërkaq BE-ja duhet ta mbajë premtimin e jo ta konsiderojë liberalizim si peng të procese të tjera”, tha Osmani.
Osmani ka thënë se Kosova dhe Kroacia kanë shumë çështje që i lidhin, ndaj në këtë kontekst ka përmendur numrin e përafërt të personave të zhdukur me dhunë nga regjimi serb gjatë luftërave të viteve të 90-ta, duke shtruar nevojën për bashkëpunim konkret për zbardhjen e fatit të tyre.
Ndërkaq ministri Radman ka potencuar se shteti i tij e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane, sikurse edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Teksa presidentja e ka falënderuar ministrin Radman për ndihmën, duke u angazhuar që bashkëpunimi të shtrihet edhe në sferën e partneritetit strategjik me theks të posaçëm në sferën e mbrojtjes./UBTNews