UBT News

FSK këtë javë niset për në misionin e parë paqeruajtës

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës pritet të nisen këtë javë për në misionin e parë paqeruajtës në botë, të cilin do ta realizojnë krah ushtrisë amerikane. Këtë e bëri të ditur ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit, Vjosa Osmani derisa mori pjesë në shënimin e përvjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Osmani tha se ushtarët e FSK-në tani e kanë përpara misionin fisnik që dikur e kishte Adem Jashari, atë të ruajtjes së Kosovës.

Për të nderuar Epopenë e lavdishme të UÇK-së dhe përkujtuar sakrificën e familjes Jashari dhe të rënëve të tjerë për liri, kanë parakaluar sot kuadratet e FSK-së në kazermën që mban emrin e komandantit legjendar.

E atyre iu është drejtuar ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani që është edhe komandat suprem i Forcës, ku edhe ka bërë të ditur se këtë javë pritet të niset kontingjenti i FSK-së për në misionin e parë paqeruajtës në botë.

“Sikurse Adem Jashari dikur, sot ju keni përpara misionin fisnik që ta ruani Kosovën që ajo të mbetet një dhe e tërë, që ajo të mbetet e përhershme sikurse dedikimi juaj dhe i yni njëkohësisht. Këtë javë ushtarakët tanë do t’i përcjellim për misionin e parë paqeruajtës bashkë me forcat e Gardës së Iowa-s. Ju do ta nderoni emrin e ushtrisë sonë sikurse edhe emrin e shtetit të Republikës së Kosovës. Krah miqëve tanë amerikanë ju po bëni historinë tonë të re, të shtetit që kontribuon në paqen globale”, tha Osmani.

Osmani tha se anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit të Kosovës. Ajo ka kujtuar sakrificën dhe rezidencën e familjes Jashari në Prekaz, më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.

“Brezat e tashëm dhe të ardhshëm do të jetojnë me shëmbëlltyrën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij, të cilët mbi fatin e tyre e vunë fatin e kombit duke u flijuar që të gjithë për liri. Sot 23 vjet më parë në Prekaz, familja Jashari luftoi për të mbrojtur pragun e shtëpisë, për të mbrojtur familjen, për të mbrojtur Prekazin, por për të mbrojtur të gjithë Kosovën, duke dhënë shembullin e rrallë në historinë e një familje e cila bëri sakrificën më sublime të vetëflijimit për atdhe që ne sot ta gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë”, shtoi ajo.

Vjosa Osmani tha se beteja tre ditore në familjen Jashari në Prekaz dhe lufta e bashkëluftëtarëve të komandantit, ka vënë themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës.

E kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se kjo datë shënon fillimin e fundit të robërisë shekullore.

“Ju drejtohem sot në këtë datë unike të historisë tonë më të re, datë që shënon jo vetëm rënien e komandantit legjendar Adem Jashari dhe 59 anëtarëve të familjes Jashari, por edhe fillimin e fundit të robërisë shekullore. Akti i rezistencës së armatosur të Adem Jasharit dhe familjes, dhe i Prekazit të tij heroik, i filluar në mëngjesin hershëm të 5 marsi 23 vjet më parë dha frymëzimin e madh për t’i rezistuar një regjimi. Këto tre ditë të rezistencës në Prekaz, dhe kushtrimi për popullin tonë, lirinë dhe pavarësinë, si dhe alarmin për qendrat e vendimmarrjes botërore për të ofruar mbështetje për të vërtetën e Kosovës dhe popullit të saj, për mbrojtjen e vlerave të qytetërimit perëndimor, si dhe lirive të drejtave fondamentale njerëzor”, tha Hoti.

E djali i Hamëz Jasharit, Bekim Jashari kërkoi unitet për zhvillimin e vendit, pavarësisht dallimeve politike.

“Sakrifica shekullore e popullit tonë, lufta dhe gjaku i derdhur ndër shekuj është bazamenti i shtetit tonë demokratik të ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë. Pra, shteti që e krijuam falë atyre që nuk kursyen as jetën tani e kemi amanet që ta duam dhe ta zhvillojmë në mënyrë që të rinjtë tanë dhe gjeneratat që vijën ta gjejnë perspektivën dhe të ardhmen e tyre në Kosovë, në rrugën tonë për shumë sfida duhet të jemi të bashkuar përtej dallimeve tona politike në mënyrë që të jetësojmë amanetin e dëshmorëve dhe heronjve tanë. Sot 23 vite pas, fal punës së përbashkët dhe kontributit të të gjithëve kemi ushtrinë tonë e cila tashmë radhitet në mesin e ushtrive tjera në ruajtjen e paqes në botë, krahas ushtrisë amerikane dhe NATO-s”, tha Jashari.

Parakalimi i kuadrateve të FSK-në në kazermën “Adem Jashari”, shënon fillimin e aktiviteteve që mbahen për nder të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, më 5,6 dhe që kulmon më 7 mars në ndezjen e flakadanëve në atë që njihet si “Nata e Zjarreve”, në Prekaz.

Exit mobile version