UBT News

​Osmani kërkon mbështetje nga USAID në luftën kundër dhunës në baza gjinore

Ndihmësadministratorja e USAID-it, Erin E. McKee ka thënë se normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër, është mënyra më e mirë për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian dhe euroatlantik. Ajo është pritur në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila ndër të tjera ka kërkuar mbështetje nga USAID në luftën kundër dhunës mbi baza gjinore.

Pas takimit me Osmanin, McKee ka thënë se USAID do të punojë në krijimin e një mjedisi të mirë për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor.

“Normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër, është mënyra më e mirë që do t’i ndihmojë Kosovës t’i përmirësojë raportet e saj me vendet fqinje dhe në këtë mënyrë rrjedhimisht edhe të zë vendin e vet në mesin e vendeve të tjera në kuadër të integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Pra, ne do të jemi këtu për të gjitha vendet e rajonit, për Kosovë, edhe për Serbi, që të krijojmë një mjedis që të rinjtë nuk do ta shohin të ardhmen jashtë atdheut të tyre por do të shohin të ardhmen e në vendin e tyre u do të rrinë do të ndërtojnë biznese e familje”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka kujtuar kontributin e USAID duke investuar milardë dollarë për forcimin e institucioneve të Kosovës, demokratizimin e vendit dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse.

“USAID ka qenë një forcë shtytëse dhe siç e thash edhe katalizator i ndryshimeve pozitive në vendin tonë e në veçanti në tri fronte të rëndësishme të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt edhe me punën time si presidente e republikës. E para është demokracia, pra zhvillimi i mëtejmë i demokracisë në venin tonë, fusha e dytë është sundimi i ligjit, një fushë e rëndësishme që ne shohim si parakusht për zhvillim në çdo fushë tjetër dhe e treta është të drejtat e njeriut…Kërkova mbështetje për përpjekjet tona për eliminimin e dhunës mbi baza gjinore, dhe natyrisht që jam shumë e lumtur që mora përgjigjen pozitive nga ana e USAID për përkrahje në këtë drejtim për ta luftuar këtë dukuri e cila për fat të keq është shndërruar në pandemi anë e kënd globit”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se Kosova mbetët një vend me potencial të madh dhe demokraci të avancuar.

“Republika e Kosovës ka bërë përparim jashtëzakonisht të madh në dy dekadat e fundit në shumë fusha, megjithatë prania e rëndësishme e USAID këtu dhe vizita juaj sot nuk janë vetëm një shembull i partneritetit të fortë ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë por edhe tregon faktin se Kosova mbetet një vendi me potencial të madh me, me një rini të talentuar, me një ekonomi në rritje dhe me një demokraci të avancuar”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, McKee ka theksuar se mbetën të përkushtuar të ndihmojnë Kosovën të zë vendin e saj brenda institucioneve dhe euroatlantike.

Exit mobile version