UBT News

​Osmani kërkon garanci për sigurinë e Kosovës: Të mbrohet kufiri me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ShBA-ja të mbajë përgjegjëse Serbinë për aktin e agresionit ndaj Kosovës.

Pas takimit me senatorët amerikanë të premten, Osmani nënvizoi nevojën për të rritur garancitë e sigurisë për Kosovën, sidomos për mbrojtjen e kufirit me Serbinë.

Osmani po ashtu kërkoi nga Serbia që t’i dorëzojë institucioneve kosovare të gjithë terroristët që morën pjesë në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Ndërkaq potencoi se Kosova do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për të punuar ngushtë me aleatët ndërkombëtar, veçmas ShBA-në.

“Gjëja më e rëndësishme në këtë moment në mënyrë që të parandalohen akte të tilla agresioni në të ardhmen, që do të destabilizonin tërë rajonin tonë, është që Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e agresionit. Po ashtu, t’i dorëzojë terroristët në Republikën e Kosovës që të përballen me sistemin tonë të drejtësisë, si dhe të rriten garancitë e sigurisë në raport me Kosovën, që të mbrohen kufiri Kosovë-Serbi nga sulmet e tilla në të ardhmen”, tha ajo.

Në anën tjetër, senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, shprehu mbështetjen ndaj Kosovës për sulmin terrorist të 24 shtatorit. Ajo theksoi se të gjithë përgjegjësit duhet të japin llogari para sistemit të drejtësisë, derisa shtoi se Serbia duhet të bashkëpunojë në këtë drejtim.

“Është shumë e rëndësishme, siç e përmendi presidentja Osmani që përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit të japin llogari. Shpresoj që Serbia do të bashkëpunojë për këtë çështje dhe të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Kjo na tregon se për një stabilitet dhe paqe afatgjate në Kosovë, ka mundësi për të vazhduar me mbështetjen e BE-së dhe ShBA-së, që të gjendet një bashkëjetesë afatgjate dhe paqësore me Serbinë. Kjo është shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës”, tha ajo.

Pas takimit me Osmanin, senatorja Jeanne Shaheen bashkë me senatorin Peter Welch, u takuan me kryeministrin Albin Kurti.

Kjo është vizita e parë e përfaqësuesve të lartë të ShBA-së në Kosovë, pas aktit të agresionit të Serbisë në Kosovë më 24 shtator.

Exit mobile version