Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ia ka dorëzuar kopjen e dekoratës “Urdhri Hero i Kosovës”, familjes së heroit të kombit, Agim Ramadanit, të cilën ia kishte ndarë presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e të cilën më 19 prill 2009 ia kishte dorëzuar presidenti Fatmir Sejdiu.
Presidentja shkroi në Facebook se fatkeqësisht kjo medalje ishte humbur pa fajin e familjes dhe legjislacioni aktual lejon që ajo të ridorëzohet në raste të tilla.
“Duke ia dorëzuar këtë dekoratë familjes së heroit Ramadani ne e ritreguam kujdesin e institucioneve të vendit ndaj atyre që me heroizmin e tyre na mundësuan ta preknim lirinë, por edhe ndaj familjeve të tyre. Ky kujdes do të jetë i vazhdueshëm”, shkroi ajo në Facebook.
Më tej Osmani shkroi se Agim Ramadani është njëri ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili në betejën e Koshares e theu kufirin i cili i ndante shqiptarët dhe e krijoi shpresën për çlirimin përfundimtar të Kosovës./UBTNews