UBT News

​Osmani i kërkon BE-së t’i bëjë presion Serbisë: Vuçiq po fle mbi varreza masive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë për hapjen e arkivave për gjetjen e personave të zhdukur me dhunë.

Osmani, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, tha se Serbia po e fsheh qëllimshëm vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë. Sipas saj, fytyra e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq po fle mbi varreza masive edhe 25 vjet pas luftës.

“Serbia akoma vazhdon të bëjë shkelje flagrante të këtyre obligimeve dhe po ashtu do të thosha se e ripërsëritur krimin e saj duke e fshehur vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. I bëj thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar të gjithë aleatëve dhe miqve të Kosovës dhe aleatëve të të drejtave të njeriut që të mendojnë pak për nënat, motrat, vëllezërit dhe prindërit të atyre fëmijëve të zhdukur që akoma janë në varreza masive, në të cilat po fle Serbia edhe 25 vite pas lufte… Shpresojmë shumë që dialogu në Bruksel do të jetë një proces ku përmes të cilit Kosovës do t’i bëhet trysni, popullit të Kosovës t’i bëhet padrejtësi. Ndërkaq fytyra e Vuçiqit, një njeriu që ende fle mbi varreza masive do të vazhdojë të shpërlahet padrejtësisht”, tha ajo.

Pas homazheve pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, Osmani shtoi se përkundër marrëveshjes për të pagjeturit, Serbia vazhdimisht po gjen arsye për mos hapje të arkivave, ani pse kërkesa e Komisionit Qeveritar ka qenë e qartë se cilën arkiv të cilës brigadë të ish ushtrisë Jugosllave duhen informata.

“Kërkesa e Komisionit qeveritar ka qenë tepër e qartë se cila arkiv për cilën brigadë të ushtrisë së atëhershme Jugosllave na duhen informata, në mënyrë që të gjenden vendndodhja e qytetarëve tanë që akoma rezultojnë të jenë të zhdukur me dhunë. Obligimet kanë rrjedhur nga ai moment… Serbia është në shkelje të këtyre obligimeve, por për fat të keq BE-ja nuk po konstaton këto shkelje që janë tepër të qarta nëse lexohet ajo deklaratë”, theksoi Osmani.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se është e nevojshme një trysni më e madhe ndërkombëtare ndaj Vuçiqit për hapjen e arkivave.

“Harta ku bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kërkojë të zhdukurit me dhunë është Serbia. Po ashtu Serbia është edhe shteti ku ndodhen kriminelët ku i kanë kryer këto krime, por për të cilin nuk pati kurrë drejtësi, dihet se ku ndodhen ata. Ne çka duhet të bëjmë është se të marrim të gjitha masat që janë në dorën e institucioneve të Kosovës. Të sigurohemi që edhe bashkësia ndërkombëtare dhe unioni evropian edhe faktorët të tjerë të rëndësishëm të vendimmarrjes vetëdijesohen që ka nevojë për një trysni më të madhe në Aleksandër Vuçiqin dhe institucionet e Serbisë që t’i hapin arkivat dhe të zbardhet e vërteta për mijëra të zhdukur me dhunë”, tha Konjufca.

Homazhe bënë edhe zyrtarë qeveritar dhe familjarë të personave të zhdukur me dhunë. Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, në Kosovë vazhdojnë të mungojnë edhe mbi 1600 persona, të zhdukur me dhunë.

Exit mobile version