Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit thotë se nuk mund askush nuk ta njohë më shumë dhimbjen se sa popujt që përjetuan fate historike të ngjashme.
“Nuk mund ta njohë askush më shumë dhimbjen se sa popujt që përjetuan fate historike të ngjashme! Në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, bashkëndjejmë me miqtë tanë dhe ritheksojmë se gjenocidi ndaj hebrenjve është barbaria më e madhe që njeh historia njerëzore deri më sot. Sot, duhet ta kujtojmë dhe të ndihemi krenar për ndihmën të cilën shqiptarët i dhanë komunitetit hebraik në vitet e trishtimit. E përderisa kujtojmë kalvarin e hebrenjve, nuk ka si të mos përmendet edhe ndihma e shtetit izraelit ndaj kosovarëve të dëbuar dhunshëm në luftën e vitit 1999. Në botë mbijetojnë vetëm miqësitë ndërmjet popujve e shteteve. Kosova, shqiptarët, Izraeli dhe izraelitët prej kohësh kanë ndërtuar urat e miqësisë. Holokausti u kujtoftë përgjithmonë dhe shërbeftë në funksion të ndërgjegjësimit që ngjarjet si këto të mos ndodhin kurrë më. Përkujtimi i Holokaustit është riafirmim i të vërtetës, një nevojë prej së cilës nuk duhet të hiqet dorë asnjëherë dhe në asnjë rrethan”, ka shkruar Osmani.