Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani u është adresuar ushtarëve të Kosovës në kazermën “Adem Jashari”. Prej aty, Osmani ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse në botë.
Osmani, e cila është edhe komandante supreme e FSK-së, tha se FSK po shndërrohet në ushtri moderne, duke theksuar synimin themelor të Kosovës, anëtarësimin në NATO.
“Ka ardhur koha që ushtarakët tanë të japin kontributin e tyre në misione paqeruajtëse ndërkombëtare, sepse përmes përvojës së tillë ju do të shquheni për profesionalizmin, besueshmërinë, kontributin për paqe e siguri në botë, dhe po ashtu lojalitetin ndaj vlerave më të larta demokratike. Sot mund të kemi një ushtri të vogël në numra, por ka një zemër e trimëri të madhe, e gatshme e profesionale t’i shërbejë atdheut e mbrojtjes së interesave shtetërore brenda dhe jashtë vendit. Të nderuar ushtarakë, sot ne kujtojmë me krenari rolin e UÇK-së dhe në veçanti të komandantit Adem Jashari, familjes Jashari në luftën për çlirimin e atdheut”, tha Osmani.
Në adresimin para ushtarëve, Osmani tha se viti 2020 ka qenë i suksesshëm për FSK-në sa i përket ngritjes së kapaciteteve.
“Forca, edhe pse është në fazën e ngritjes së kapaciteteve, standardizimit e modernizimit, mund të themi që ky vit ka qenë i suksesshëm përkundër sfidave, dhe kjo ngritje është e bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe me sukses po e përmbyll fazën e parë të tij, duke harmonizuar të gjitha dokumentet strategjike, rregulloret, doktrinat dhe dokumente të tjera bazë për funksionim të mirë të FSK-së për misionin e saj të ri në mbrojtje të të gjithë territorit të Republikës sonë, dhe duke ngritur strukturën e komandim kontrollit”, tha Osmani.
Osmani edhe njëherë theksoi gatishmërinë e Kosovës që Forca të bëhet pjesë e NATO-së, duke përmendur që ky është orientim themelor. Ajo tha se Ushtria e Kosovës po shndërrohet në hapa të sigurt në ushtri moderne falë bashkëpunimit me aleatët perëndimor, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sivjet, Forca e Sigurisë së Kosovës po e mbyll fazën e parë të tranzicionit, bazuar në planin gjithëpërfshirës për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.