UBT News

​Osmani: Emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova në 16-vjetorin e vdekjes.

Osmani shprehet se Rugova jo vetëm që punoi për shtetin e Kosovës, por jetoi me këtë ide, duke shtuar edhe ai kishte vizon për Kosovën atëherë, por edhe Kosovën tash.

“Kur ai foli për shtetin e pavarur të Kosovës, realizimi i idesë dukej jo vetëm i vështirë, por edhe i largët. Ai ishte njeriu që trasoi hapat e bërjes së shtetit, duke shndërruar trinomin: liri, pavarësi dhe demokraci në boshtin e aktivitetit për Kosovën shtet. Që të trija u bënë realitet bashkërisht me shtetin e Kosovës. Sot, në 16-vjetorin e ikjes në amshim, e kujtojmë me respekt dhe përulësi atin themeltar të shtetit të Kosovës, presidentin historik, dr.Ibrahim Rugova. Ai jo vetëm që punoi për shtetin e Kosovës, por jetoi me këtë ide. Rugova kishte vizion për Kosovën atëherë, por edhe për Kosovën tash. ‘Vizioni im është të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, të integruar në Bashkimin Evropian, NATO dhe t’i vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës’, kishte thënë në një nga deklarimet e tij me bindjen e plotë se “pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet plotësisht”, ka shkruar Osmani.

Ajo thekson edhe se Rugova është fytyra e shtetit.

“Emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit. Fytyra e shtetit është ai. Shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte ai, e Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet”, deklaroi ajo.

Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Në përvjetorin e 16-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe te varri i tij në Velani. Ndërkaq në ora 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

Exit mobile version