UBT News

​Osmani dhe Kurti vlerësojnë lart sakrificën e Zahirit me shokë

Për nder të 25-vjetorit të rënies së tre heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, Presidentja Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë vendosur lule të freskëta te shtatoret e këtyre dëshmorëve në Sheshin e Dëshmorëve në Podujevë.

Presidentja Osmani vlerësoi lart veprimtarinë, punën dhe sakrificën e këtyre heronjve që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës. Osmani tha se komandant Zahir Pajaziti me shokë janë udhërrëfyes të brezave të ardhshëm.

“Zahiri me shokë ishin pararoje të UÇK-së, ata ishin lajmëtarët e lirisë sonë. Ishte pikërisht angazhimi i tyre dhe pastaj edhe rënia e tyre për lirinë e Kosovës në një pritë që më vonë frymëzoi edhe mijëra gra e burra t’i bashkohen luftës çlirimtare që më në fund kulmoi edhe me çlirimin e vendit tonë. Ky frymëzim nuk ka përfunduar në vitin 1999 me çlirimin e vendit tonë, por vazhdon edhe sot për shkak të punës, veprimtarisë, sakrificës dhe luftës së tyre çlirimtare. Ata do të mbesin udhërrëfyes të brezave që do të vijnë edhe pas nesh, sepse do ta vazhdojnë të jetojnë në zemrat, dhe në mendjet e të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilët sot bashkërisht e gëzojnë lirinë për shkak të sakrificës së Zahirit, Edmondit, Hakifit e shumë e shumë vajzave dhe djemve që ranë për lirinë e Kosovës”, theksoi ajo.

Kryeministri Kurti u shpreh se Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zajnullahu ishin kushtrimi i çlirimit të Kosovës. Kurti theksoi se tre heronjtë nuk kursyen asgjë për atë që është më e shtrenjta, liria e Kosovës.

“Komandanti Zahir Pajaziti ishte ndër pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën kryenin aksione kundër okupatorit edhe para se të fillonte lufta çlirimtare. Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zajnullahu ishin kushtrimi i çlirimit, dhe ata i dhanë një hov të jashtëzakonshëm UÇK-së, ku e rritën edhe besimin e popullit në UÇK, por edhe vetëbesimin e popullit. Andaj, vendosëm lule të freskëta për këta luftëtarë të paepur, të cilët nuk kursyen asgjë për atë që është më e shtrenjta, liria e Kosovës”, theksoi Kurti.

Më 31 janar 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.

Exit mobile version