Presidentja Vjosa Osmani si dhe kryeministri Albin Kurti bënë homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova në 16-vjetorin e vdekjes së ish-kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Osmani dhe Kurti ngritën lart figurën e ish-presidentit dhe kontributin e tij në rrugëtimin e Kosovës për liri dhe pavarësi.
Presidentja Osmani duke e quajtur arkitekt të pavarësisë së Kosovës, tha se bëri shumëçka për vendin saqë është shndërruar në fytyrën e shtetit të Kosovës.
“Ai punoi dhe veproi në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për të gjithë popullin, në një kohë të okupimit, por përkundër kësaj arriti që ta bëjë bashkë popullin e Kosovës rreth kauzës së shprehur në trinomin liri-pavarësi-demokraci dhe në të njëjtën kohë arriti që për Kosovën të ndërtojë miqësi aq të mëdha të cilat u bënë të domosdoshme për të bërë realitet këtë trinom për të arritur lirinë, pavarësinë tonë dhe për të parë sot shtetin demokratik të Kosovës. Ne sot e gëzojmë shtetin tonë, por i gëzojmë edhe këto miqësi që me aq shumë mund i ndërtoi presidenti Rugova për shkak të punës së tij dhe të shumë burrave e grave të tjerë që punuan që ne sot ta kemi shtetin dhe ta kemi lirinë, prandaj kujtimi për të do të jetojë në zemrat dhe mendjet e të gjithë qytetarëve të Kosovës përjetësisht ndërkaq vepra dhe puna e tij do të vazhdojë të mbetet udhërrëfyes për ne, përderisa përpiqemi që në procesin e shtetndërtimit ta bëjmë Kosovën sa më të fortë dhe sa më të begatë”, deklaroi Osmani.
Ndërsa, Kurti i cili u përqendrua te datat kur Rugova ishte zgjedhur president në vitin 1992 e më pas edhe më 2004 pas çlirimit të vendit, tha se ish-presidenti dha kontribut të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore dhe gjithashtu në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
“Doktor Ibrahim Rugova edhe para se të ishte president ishte intelektual i angazhuar, njëri paqësor dhe i qetë, racional dhe humanist. Ai dha kontribut tejet të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore dhe gjithashtu në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Sivjet kur ne e shënojmë 16-vjetorin e vdekjes së tij në të njëjtën kohë ndodhemi në një vit kur do ta shënojmë edhe 20-vjetorin e tij si president në Kosovën e lirë më 4 mars (2002) dhe gjithashtu 30-vjetorin e tij si president i parë me 24 maj (1992)”, deklaroi Kurti.
Ish-presidenti Rugova ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake. Në përvjetorin e parë të vdekjes, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.