UBT News

​Organizohet aksion për dhurimin e gjakut në kullën e heroit Zahir Pajaziti

Me rastin e 25-vjetorit të rënies heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, organizata Sundimi i Demokracisë në Kosovë (SDK) në bashkëpunim me iniciativën qytetare në Orllat, kanë organizuar sot aktivitetin për dhurim vullnetar të gjakut.

Rexhep Zeka nga organizata SDK tha se ky aktivitet organizohet qe katër vjet me radhë.

“Për nder të 25-vjetorit të rënies heroike të Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut është hera e katërt me radhë që organizata joqeveritare SDK dhe iniciativa qytetare Orllat organizon aksion për dhurimin e gjakut. Simbolika e kësaj është vendi ku organizohet edhe natyrisht motoja për cilën datë organizohet. Po ashtu kemi bukur një pjesëmarrje të dhuruesve të gjakut sidomos vijnë nga gjithë Kosova për arsye të rëndësisë të vendit dhe datës ku është”, ka thënë ai.

Me tej, ai tregon për rëndësinë që ka angazhimi i ciceronit në këtë kullë.

“Sot shfrytëzojmë rastin të bëjmë thirrje edhe tek institucionet përkatëse, Ministria e Mjedisit të angazhojë një ciceron në këtë kompleks që është shumë e rëndësishme për arsye se ka shumë vizitorë dhe fatkeqësisht nuk e marrin informatën për historinë shumë të lavdishme të heroit Zahir Pajaziti”, tha ai.

Qytetari Avdullah Shabani, i cili iu përgjigj ftesës për dhurimin vullnetar të gjakut, thotë se ky është viti i katërt që dhuron gjak.

“Ky është viti i katërt që japim gjak në mënyrë vullnetare, për dëshmorët, sidomos për Zahir Pajazitin, Edmond Hoxhën dhe Hakif Zejnullahun. Ky është viti i katërt që kemi filluar rregullisht”, tha ai.

Në mesin e atyre që sot kishin ardhur për të dhuruar gjak vullnetar ishte edhe pjesëtari i FSK-së, Ilir Mani i cili tregon se është i gatshëm për dhurimin e gjakut kur do që është nevoja.

“Unë jam një pjesëtar i FSK-së japim me rregull gjithë gjak kur ka nevojë dikush ne japim vullnetarisht. Arsyeja që kemi ardhur sot te kulla e Zahir Pajazitit është se kemi pasur dëshirë pasi ky është vendi ynë”, u shpreh ai.

Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.

Më 31 janar të vitit 2008, në 11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Me rastin e shënimit të kësaj date, Komuna e Podujevës në bashkëpunim me shoqata e dala nga lufta sot bënë homazhe në Sheshin e Dëshmorëve, Kompleksin “Baza e parë e UÇK-së” në Lladoc, te Kompleksi “Zahir Pajaziti” në Orllan, si dhe u zbulua pllaka me emrin e Zahir Pajazitit në oborrin e shkollës në Orllan.

Po ashtu, presidentja Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, vendosën kurorë lulesh te shtatoret e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci në Sheshin e Dëshmorëve, në Podujevë, si dhe kurora lulesh te varri i heroit Zahir Pajaziti, në Orllan.

Exit mobile version