Komisioni Ad-Hoc për reformën zgjedhore në Kosovë nuk ka pasur vendimmarrje për miratimin e planit të punës dhe shqyrtimin e termave të referencës për grupin këshillëdhënës. Megjithatë, në mbledhjen e sotme u vendos që të njëjtat të miratohet javën e ardhshme, në mbledhjen e radhës.
Kryetari i komisionit, Abelard Tahiri, u shpreh optimist se brenda gjashtë muajve mund të përmbyllet procesi i reformës zgjedhore.
Mirëpo, theksoi se bojkotimi i Listës Serbe e bën të pamundshme reformën edhe sa i përket zgjedhjeve lokale, pasi aty nevojitet shumica e dyfishtë.
“Për të qenë më efikas në punën tonë do të kishte qenë më mirë për temat e referencave që të emërojmë këshilltarë të këtij grupi punues dhe të bartim përgjegjësinë kryesore si deputetë me propozimet që i bëjmë. Gjithmonë duke mos i përjashtuar as propozimet që vijnë nga shoqëria civile, OSBE dhe të vazhdojmë tutje. Besoj se për një periudhë maksimumi gjashtë mujore ndoshta mund të përmbyllim procesin. Fakti që nuk kemi ndryshime kushtetuese dhe ndryshimet të gjitha i kemi ligjore dhe fakti që deri tani Lista Serbe s’kanë treguar vullnet të marrin pjesë në këtë komision, atëherë neve na bënë të pamundshme të prekim edhe zgjedhjet lokale, pasi aty kërkohet shumicë e dyfishtë. Këtu jemi të limituar sa i përket ndryshimeve që mund t’i bëjmë”, tha ai.
Nga ana tjetër, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, tha se komisioni duhet të bartë përgjegjësinë kryesore për trajtimi e rekomandimeve të vëzhguesve të Bashkimit Evropian, pavarësisht rolit dhe ekspertizën që mund të ketë grupi këshillëdhënës.
“Ne si komision duhet të bartim barrën e punës sa i përket trajtimit të këtyre rekomandimeve, projektligjit për zgjedhje dhe adresimit një për një. Në fund të fundit, nuk është mirë të bartim këtë përgjegjësi te trupat tjera, pavarësisht rolit dhe ekspertizës që mund të kenë”, theksoi ai.
Këtë e përkrahu edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha duhet të ketë rishikim të termave të referencës, pasi komisioni nuk ka nevojë edhe për një trup këshillëdhënëse që të përfaqësojë partitë politike.
“Ne jemi përfaqësues të partive politike dhe nuk kemi nevojë edhe për një trup këshillëdhënës që të përfaqësojë partitë politike. Propozoj që ju të merrni përsipër rishikimin e termave të referencës dhe mbledhjen e ardhshme të komisionit t’i miratojmë ato. Shpresoj që nuk vonohemi në angazhimin e ekspertëve”, theksoi Hoti.
Komisioni Ad-Hoc për reformën zgjedhore është konstituuar në korrik të këtij viti.