Pas kritikave të opozitës, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shtyrë për një mbledhje tjetër votimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për propozimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.
Komisioni nuk arriti të mërkurën të procedojë në kuvend 16 kandidatë për anëtarë të Komisionit Qendror të regjistrimit të popullsisë.
Për kryesues të këtij komisioni është propozuar profesor Florim Isufin, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit. Megjithatë opozita ka kundërshtuar kandidatin Isufi për kryesues.
Depututi nga LDK-ja, Avdullah Hoti ka thënë se kryesuesi i propozuar, në këtë rast, Florim Isufi është person jo i duhur, i cili sipas tij ka ndjekur një kauzë politike në procesin e demarkacionit me Malin e Zi, dhe siç tha ai ka dëmtuar vendin në procesin e liberalizimit të vizave.
“Unë kam rezervat e mija për kryesuesin e Komisionit. Është një person politik dhe në të kaluarën ka ndjekur agjendat politike, lidhur me demarkacionin me Malin e Zi. Nuk besoj që është person i duhur”, tha Hoti.
Të njëjtat kritika dhe vërejtje sikur Hoti pati edhe nënkryetari i Komisionit nga PDK-ja, Mërgim Lushtaku. Madje Lushtaku tha se Isufi aktualisht është këshilltar i kryeministrit.
Deputeti nga Vetëvendosje, Eman Rrahmani tha se lakimi i emrit të profesorit Florim Isufi nga deputetët e opozitës është i padrejtë.
“Të thuhet i pa integritet njeriu që ka mbrojtur territorin e vendit, nuk është e drejtë”, tha ai.
Komisioni vendosi që të premten të mbahet edhe një mbledhje për të arsyetuar Zyra e Kryeministrit këtë vendim me emrat e kandidatëve.