UBT News

​Opozita kritikon Bislimin: Kosovës i ka sjellë vetëm sanksione dhe izolim

Partitë opozitare në Kuvend kanë kritikuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për mungesë të llogaridhënies ndaj legjislativit. Pas dështimit të mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane në mungesë të kuorumit, ku nuk u pa i pranishëm as Bislimi, opozita e kritikoi atë për politika të gabuara në raport me integrimet evropiane dhe dialogun me Serbinë, ku sipas tyre, Kosovës i kanë sjellë vetëm sanksione dhe izolim.

Kryetarja e komisionit, Rrezarta Krasniqi, tha se mazhoranca në Kuvend dhe Bislimi janë organizuar për ta dështuar mbledhjen.

“Po shihet serioziteti i kësaj qeverie dhe siç duhet kjo mbledhje është organizuar që pozita mos të vjen në takim. Ne s’kemi kuorum dhe jashtë nuk është as zëvendëskryeministri (Bislimi)”, tha ajo.

Pas dështimit të mbledhjes, anëtarët e këtij komisioni nga opozita u paraqitën para mediave, ku adresuan një varg akuzash ndaj pushtetit.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se qeveritarët s’kanë më legjitimitet dhe kredibilitet për ta vazhduar punën, andaj sipas saj vendi duhet të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje të reja.

Pas vendosjes së disa fotografive në komision, ku shihet zëvendëskryeministri Bislimi duke hedhur shishen në Kuvend, deputetja Deliu u shpreh më e rezervuar nëse do të ndërmarrin aksione të tjera ndaj Bislimit.

“Njeriu i dytë i kësaj qeverise sot është dashur të jetë në Kuvend. Prej marrëzisë dhe skandaleve të njëpasnjëshme që i kemi parë edhe në seancën e fundit sot nuk ishte për të raportuar, pasi e gjitha ajo çka ka bërë kjo qeveri janë skandalet e panumërta dhe sanksionet e izolimi i vendit. Është pozicioni më i keq i Kosovës në raport me partnerët e saj…Prandaj sa më herët që ky pushtet e liron detyrën e tij, sa më herët që do të kemi zgjedhje do të jetë lajm i mirë për Kosovën, pasi kjo qeveri vetëm kredibilitet dhe legjitimitet s’ka. Këta njerëz që kanë aq marrëzi që të ikin prej opozitës dhe qytetarëve dhe ta lënë në këtë pozitë Kosovën vetëm legjitimitet dhe kredibilitet për të ushtruar pushtet sot s’kanë. Ata duhet t’i lirojnë pozitat e tyre dhe vendi të shkojë në zgjedhje… 9:50 Më shumë se prezenca e tij në Kuvend, është shumë e dëmshme pozicioni që ata e kanë vendosur Kosovën. Ata duhet të mbahen përgjegjës për skandalet e njëpasnjëshme, për aferat korruptive që i shohim çdo ditë dhe për përgjimet”, theksoi ajo.

Kritike ndaj Bislimit u shpreh edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi. Sipas saj, numri dy i Qeverisë duhet të raportojë para Kuvendit në lidhje me masat e BE-së ndaj Kosovës dhe takimet e fundit në raport me dialogun me Serbinë.

“Ne si Komision për integrim evropian ende nuk e kemi listën e projekteve të IPA-së dhe financat e përbashkëta që i kanë Kosova me IPA-në. Në bazë të rregullores zëvendëskryeministri do të duhej të na binte listën dhe të vjen të raportoj sot në Kuvend. AI është dashur sot të jetë këtu dhe të na tregoj në lidhje me takimin që ka pasur në Bratislavë, i cili nuk do të duhej të ndodhte atje, por në Bruksel dhe Uashington…Deri sot asnjë deklaratë që e ka thënë Bislimi nuk ju është përmbajtur. Ju e dini se ai ka thënë se kryetarët duhet të qeverisin nga objektet komunale, ndërsa sot po kërkojnë datë për zgjedhje të tjera. Deri tash asnjë parim apo deklaratë që kanë thënë nuk iu janë përmbajtur zëvendëskryeministri dhe as kryeministri Albin Kurti”, tha deputetja e LDK-së.

Në anën tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se Qeveria Kurti i ka sjell Kosovës vetëm sanksione dhe degradim në politikën e jashtme. Ajo e nënvizoi nevojën që sa më shpejt Bislimi dhe Kurti të raportojnë në Kuvend në lidhje me zhvillimet e fundit në dialog dhe planin për depërshkallëzim të situatës.

“E kemi thënë prej fillimit se kjo është qeveria më jo transparente në raport me procesin e dialogut. Në Kuvend të Kosovës është miratuar një rezolutë që e obligon qeverinë dhe njerëzit që udhëheqin me dialogun të vijnë dhe të raportojnë pas çdo raundi të diskutimeve që ndodh, por edhe me qartësu agjendën se çka do të diskutohet në dialog. Ju po e shihni se kjo qeveri po ikë prej asaj përgjegjësi me ardh me raportu se çka kanë dialoguar. Ju po e shihni rastin e sotëm në të cilin mungojnë deputetët e mazhorancës, mungon zëvendëskryeministri i cili vete ka caktuar datën dhe orën. Sipas rregullores së Kuvendit e ka obligim me ardh me raportu se çka kanë negociuar në Bratisllavë”, tha ajo.

Tri partitë opozitare e lanë të hapur mundësinë që Bislimin ta thërrasin edhe në interpelancë në Kuvend, për të raportuar për masat e BE-së dhe zhvillimet e fundit në dialog.

Exit mobile version