UBT News

​Opozita këmbëngul në formimin e komisionit hetimor, nis bojkotimin e punës së Kuvendit

Në mungesë të vendimmarrjes ka dështuar raportim i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Komisionin për Integrime Evropiane. Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kushtëzuan pjesëmarrjen e tyre në votim me formimin e komisionit hetimor për krizën energjetike.

Madje deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se pa u formuar komisioni hetimor nuk do të marrin pjesë në asnjë votim në Kuvend.

“Ne nuk do të marrim pjesë në asnjë votim të projektligjeve derisa nuk formohet komisioni hetimor prej përfaqësuesve të mazhorancës. Kemi pas dy tentativa dhe kemi pa se dje ka dështuar të miratohet një komision i tillë, i cili natyrisht se do të vendos dritë mbi ato shumë parregullsi që kanë ndodhur në proces të shitjes së energjisë elektrike, por edhe shumë punësime që kanë ndodhur në KEK. Mendojmë se kjo është një arrogancë e pushtetit”, tha ajo.

Qëndrim të njëjtë shfaqi edhe deputetja e LDK-së, njëherësh, kryetare e komisionit, Rrezarta Krasniqi.

“Ne si LDK e kemi dhënë qëndrimin tonë dhe sot s’kemi vendimmarrje për të vazhduar mbledhjen”, deklaroi Krasniqi.

Ndërsa deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj kërkoi nga pushteti të respektojë më shumë opozitën.

“Ky komision nuk i plotëson kushtet për të vazhduar më tutje, arsyeja dihet, pasi ne si opozitë nuk do të votojmë as rendin e ditës dhe as projektligjet, derisa të formohet komisioni hetimor dhe të respektohet opozita”, tha ajo.

Bojkotimin e opozitës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha e quajti të padrejtë.

“Ka metoda të ndryshme që opozita mund të jep mendimin e vet, qoftë edhe duke bojkotuar komisionet, apo edhe votimet. Por hiç më larg se mbledhjen e kaluar u tha se të paktën komisioni për integrime është më konstruktiv, por kjo po afekton edhe këtë komision, kjo s’po më duket e drejtë në bazë të deklaratave të mëhershme të opozitës. Gjithsesi është vendim i tyre”, deklaroi Batusha.

Duke lëshuar mbledhjen në debat u përfshi edhe ministrja Haxhiu, e cila tha se në të kaluarën ka qenë e vështirë me i sjellë ministrat në Kuvend, ndërsa tash kur po vijnë, opozita s’po pajtohet.

“Në të kaluarën ka qenë shumë vështirë me i sjell ministrat, tash ministrat po vijnë, opozita s’po pajtohet”, theksoi ajo.

Mes debateve të shumta, dje në seancën e Kuvendit dështoi të formohet komisioni hetimor parlamentar për krizën energjetike, për shkak se mazhoranca nuk mori pjesë në votim.

Exit mobile version