Opozita ka drejtuar kritika për kryeministrin Albin Kurti rreth procesit të dialogut me Serbinë, si dhe për raportet me Shteteve e Bashkuara të Amerikës. Sipas tyre, kjo qeveri po krijon çdoherë e më shumë një distancë me drejtuesit amerikan. Ndërsa shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se raportet në mes të Kosovës dhe Amerikës, janë siç duhet të jenë në mes të dy partnerëve strategjik dhe të përhershëm.
Lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Kusari-Lila ka deklaruar se nuk mund të quhet dështim derisa ka proces të negociatave.
“Përderisa ka dialog ka proces, nuk mund të quhet dështim ose nuk duhet të paragjykohet si dështim, por natyrisht se në këtë proces do të ketë dinamikë e cila individualisht palëve mund t’u duket ndryshe por ajo çka është shumë e rëndësishme është të vazhdojë procesi, të vazhdojë dialogu dhe natyrisht synimi final i këtij procesi të jetë njihja e ndërsjellë dhe normalizimi i plotë i raporteve në mes të dy vendeve”, ka thënë ajo.
Ndërsa, shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se është shqetësues fakti që kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani nuk kanë arritur ta takojnë sekretarin amerikan të shtetit, në kudër të konferencës së Mynihut. Ai ka thënë që Blinken u ka bërë krerëve të shtetit të Kosovës, ndërkohë që ka takuar presidentin e Serbisë, është mesazh për Kurtin dhe Osmanin.
“Është shqetësues fakti që drejtuesit e Kosovës janë injoruar nga sekretari i shtetit Blinken gjatë kësaj konferencë në Mynih, dhe vizita e presidentit Vuçiq në këtë konferencë e kemi parë që është lidhë kryekëput me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe injorimi që është bërë nga sekretari Blinken është mesazh i qartë për kryeministrin Kurti dhe për presidenten Osmani. Është shumë mirë që të takohen me kongresmen, e senatorë mirëpo ajo që është shumë e rëndësishme është të takohen me vendimmarrësit. Është hera e parë që në këtë konferencë të Mynihut, drejtuesit e Shtetit të Kosovës nuk arrijnë më u taku me drejtues të niveleve të larta të shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe më shqetësues është fakti që jemi një javë para këtij takimi dhe një javë para këtij takimi ta takon presidentin Vuçiq dhe jo kryeministrin e Kosovës është sinjal shumë i keq”, ka thënë Tahiri.
Por, sipas shefes së deputetëve të Vetëvendosjes, Kosova dhe SHBA-të kanë partnerë të përhershëm.
“Te trajtimi i raporteve në mes të Kosovës dhe shteteve të Bashkuara të Amerikës unë mendoj që për këtë shumë herë deri tash është deklaruar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që është zgjatim i politikës së ekzekutivit gjegjësisht departamentit të shtetit, në Kosovë, dhe këto raporte janë raporte siç duhet të jenë në mes të dy partnerëve strategjik, afatgjatë dhe të përhershëm”, ka thënë Kusari-Lila.
Takimi i radhës Kurti-Vuçiq pritet të zhvillohet më 27 shkurt në kuadër të dialogut të Brukselit.
Sipas shefit të deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, koha kur takimet kanë ndodhur për fotografi duhet të kalojë dhe duhet të ketë mobilizim të sinqertë më ShBA-të për të arritur të marrëveshja finale.
“Rreziku potencial i Kosovës është që Serbia të vazhdojë të mbajë Kosovën në një konflikt të ngrirë duke e parë dhe paraqitur si palë jo konstruktive, si palë që bën telashe, ne në këtë qosh nuk duhet të hyjmë, ne duhet të kemi një politikë proaktive që ka munguar tash e pesë vjet, pra ne kemi qenë, jemi dhe vazhdojmë të mendojmë që arritja e një marrëveshje e cila në fakt e siguron njohjen reciproke, njohjen e Kosovës, ecjen e Kosovës përpara në rrugëtimin e vet është e rëndësishme”, ka thënë ai.