Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka vazhduar zbatimin e planit operativ “Mbrojtja e pyjeve 2021” lidhur me prerjen e pyjeve dhe transportit ilegal të drunjve.
Në kuadër të këtij aksioni, policia mbrëmë në Pleshinë e Epërme të Ferizajt, ka hasur në dy persona të dyshuar, me dy traktor të ngarkuar me drunj.
Të njëjtit, policia i ka shoqëruar në stacionin policor të Ferizajt dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të PTH-Ferizaj, të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia e Ferizajt nga data 26 prill – 18 maj 2021, ka realizuar 363 pika kontrolli, duke arrestuar tre persona, ka iniciuar pesë raste penale dhe ka konfiskuar 6 mjete për transportin e drunjve, si dhe një sasi të konsiderueshme e drunjve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj do të vazhdojë me aktivitete të tilla edhe në ditët në vijim, në parandalim të prerjeve të pyjeve dhe transportit ilegal të drunjve, thuhet në njoftim.