Sulmet ajrore izraelite kanë zhvendosur më shumë se 260 mijë palestinezë në Rripin e Gazës, tha zyra humanitare e OKB-së.
“Mbi 263 mijë e 934 njerëz në Gaza besohet se janë larguar nga shtëpitë e tyre”, tha Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në një përditësim të martën.
Frika po rritet se numri i palestinezëve të zhvendosur në Gaza do të rritet në mes të sulmeve të vazhdueshme izraelite dhe raketave të Hamasit, shkruan AA.
Situata u përshkallëzua në Rripin e Gazës pas një sulmi të grupit palestinez Hamas në qytetet izraelite pranë territorit bregdetar. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme masive ajrore në Gaza dhe e vendosi enklavën nën bllokadë totale.
Rreth 2 mijë e 100 njerëz u vranë, duke përfshirë të paktën 900 palestinezë dhe 1 mijë e 200 izraelitë.
Izraeli gjithashtu ka ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar në mënyrë të pashmangshme situatën tashmë të rëndë humanitare.
Shtëpia e afro 2.2 milionë njerëzve, Rripi i Gazës tashmë është duke u zhytur nën një rrethim gjymtues izraelit që nga viti 2007.
Ndërkohë, Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinë (UNRWA) tha të martën vonë se më shumë se 175 mijë njerëz në Gaza janë strehuar në 88 shkolla të saj.
Agjencia e OKB-së tha: “88 nga shkollat tona në Rripin e Gazës janë kthyer në strehimore për më shumë se 175,000 njerëz”.
Agjencia tha se numrat po rriten për shkak të sulmeve ajrore të vazhdueshme izraelite.