UBT News

​Oficeri rus: Trupat tona torturuan tmerrësisht ukrainasit

Një ish-oficer i ushtrisë ruse ka bërë akuza për marrjen brutale në pyetje, gjatë të cilave ukrainasit u qëlluan dhe u kërcënuan me përdhunim.

Konstantin Yefremov, oficeri më lartë që ka folur kaq hapur, tha në një intervistë ekskluzive për BBC, se Rusia e konsideron atë një tradhtar dhe dezertor.

Në një vend në jug të Ukrainës, marrja në pyetje dhe torturat zgjatën për një javë, tregon Yefremov: “Çdo ditë, natën, ndonjëherë dy herë në ditë”.

Yefremov u përpoq të linte ushtrinë disa herë, dhe përfundimisht u shkarkua sepse refuzoi të kthehej në Ukrainë. Tani ai ka ikur nga Rusia.

Duke përdorur fotografi dhe dokumente ushtarake të siguruara nga Yefremov, BBC konfirmoi se oficeri rus ishte në Ukrainë në fillim të luftës – në rajonin e Zaporizhzhia, duke përfshirë qytetin e Melitopolit.

Deri vonë, Konstantin Yefremov ishte zyrtar në ushtrinë ruse me gradën toger. Ai u dërgua në Ukrainë vitin e kaluar dhe ra dakord të fliste për mizoritë që ai dëshmoi atje – duke përfshirë torturën dhe abuzimin e të burgosurve ukrainas.

Ai foli për shokët e tij duke plaçkitur territoret e pushtuara të Ukrainës dhe përshkroi marrjen në pyetje brutale të udhëhequra nga një kolonel rus, gjatë të cilave burrat u vranë dhe u kërcënuan me përdhunim.

Më 10 shkurt 2022, Yefremov mbërriti në Krime, gadishullin ukrainas që Rusia aneksoi nëntë vjet më parë.

Ishte komandanti i njësisë së çminimit të Divizionit të 42-të të motorizuar dhe zakonisht ishte i vendosur në Çeçeni, në Kaukaz në veri të Rusisë.

Ai dhe njerëzit e tij u dërguan për të marrë pjesë në “stërvitje ushtarake”: “Në atë kohë askush nuk besonte se do të kishte luftë. Të gjithë mendonin se kjo ishte vetëm një stërvitje. Jam i sigurt që as oficerët e lartë nuk e dinin”.

Yefremov kujton ushtarët rusë që ngjitnin shenja identifikimi në uniformat e tyre dhe kishin shkruar shkronjën “Z” në pajisjet dhe automjetet ushtarake.

Brenda pak ditësh, shkronja “Z” u bë një simbol i asaj që Kremlini e quajti “operacioni i tij special ushtarak”.

Ushtaraku rus pretendon se nuk donte të kishte të bënte asgjë me atë: “Vendosa të lija punën. Shkova te komandanti im dhe i shpjegova pozicionin tim. Ai më çoi te një oficer i lartë që më quajti tradhtar dhe frikacak. E lashë armën dhe u ula në një taksi. Doja të kthehesha në bazën time në Çeçeni dhe zyrtarisht të jepja dorëheqjen. Më pas shokët më telefonuan me një paralajmërim. Koloneli më premtoi se do të më fuste në burg për 10 vjet për dezertim dhe thirri policinë”.

Thotë se thirri një avokat ushtarak, i cili e këshilloi të kthehej: “Tani e kuptoj që duhej ta kisha injoruar dhe të vazhdoja me veturë, por kisha frikë se do të më futnin në burg”.

U kthye në njësi dhe u bashkua me njerëzit e tij. Yefremov këmbëngul se ishte dhe është “kundër luftës”. Madje pretendon se nuk ka marrë pjesë në aneksimin e Krimesë nga Rusia, as nuk ka luftuar në lindje të Ukrainës, kur shpërtheu lufta në Donbas për herë të parë nëntë vjet më parë.

Exit mobile version