UBT News

​OEAK: Është rritur eksporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Përkundër vështirësive me të cilat janë përballur bizneset prodhuese në Kosovë gjatë pandemisë, është rritur eksporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa ka pasur një rënie të lehtë të indeksit të konkurrueshmërisë së prodhimit krahasuar me vitin 2019.

Kjo u bë e ditur sot me rastin e publikimit të të gjeturave të “Indeksit të Konkurrueshmërisë së Prodhimit 2021”, nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, sipas të cilit indikatorët mbi lehtësinë e tregtisë ndërkombëtare janë vlerësuar më së larti me një mesatare 5.61 pikë, derisa indikatorët që lidhen me sundimin e ligjit janë vlerësuar më së ulëti, me një mesatare 4.19 pikë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha se fuqia punëtore rrit përparësinë konkurruese të ndërmarrjeve kosovare para investitorëve të huaj, por nga të gjeturat e “Indeksit të Konkurreshmërisë së Prodhimit 2021” del se ka një rënie të konkurrueshmërisë së prodhimit krahasuar me 2019. Ai kërkoi nga institucionet arsimore dhe qendrat e arsimit profesional që të bëjnë më shumë në zvogëlimin e hendekut ndërmjet kërkesës dhe ofertës.

“Ka pasur një rënie megjithatë krahasuar me indeksin e konkurrueshmërisë së prodhimit krahasuar me vitin 2019. Atëherë përballueshmëria e kostove të punës ishte vlerësuar me mesataren 6.4, këtë vit është vlerësuar me 6.0. Në përgjithësi indikatorët tjerë janë p.sh. Ligji i punës i përshtatshëm dhe nxitës për bizneset prodhuese, është vlerësuar me mesataren 75.5 pikësh. Aftësia për të gjetur fuqi punëtore dhe staf të kualifikuar me 4.75 pikë. Në përgjithësi, mesatarja e indeksit të fuqisë punëtore është vlerësuar me mesataren 5.03 në krahasim më 10 në total, që nuk mund të jemi të kënaqur dhe e japim si rekomandim që duhet të bëhet shumë më tepër nga ana e institucioneve arsimore, qendrave të aftësimit profesional në zvogëlimin e këtij hendeku ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun e punës”, tha Zeka.

Zeka tha se reformat duhet fokusuar në përmirësimin e indikatorëve specifikë që këtë vit janë ranguar më ulët siç janë ata që lidhen me sundimin e ligjit, qasjen në financa, tregtinë e brendshme, ngritjen e infrastrukturës së cilësisë, por edhe të mjedisit fiskal, fuqisë punëtore dhe infrastrukturës fizike.

Duke tentuar që përmes Indeksit të Konkurrueshmërisë së Prodhimit 2021, të pasqyrohet edhe ndikimi i pandemisë në sektorin e prodhimit sipas indikatorëve të caktuar, ai tha se në vitin 2020 e tutje është vërejtur rritje e eksportit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa fuqizim të sektorit të prodhimit. Ky sektor ka qenë në thelb të të gjitha përpjekjeve përgjatë viteve… Ajo çfarë është një lajm i mirë, që mund ta ndajmë me të gjithë ju është se në vitet e fundit, sidomos në vitin 2020, por edhe në këta muajt e parë të vitit 2021, kemi pasur një rritje të kënaqshme të eksporteve nga Kosova në shtetet e tjera dhe ajo që është e rëndësishme për ne, është se ka pasur një rritje të eksportit me SHBA”, tha ai.

Zeka ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të punojë në kuadër të njohjes reciproke të dokumentacionit, fillimisht me vendet anëtare të CEFTA-s, për të evituar barrierën e dokumentacionit.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha vizioni i ministrisë që ajo e udhëheq është për ndërmarrje konkurruese, gjë që siç tha ajo, do ta arrijnë përmes avancimit të politikave për eksporte, politikave për investime dhe avancimit të politikave për infrastrukturën e cilësisë.

Ajo tha se janë të vetëdijshëm që industria e Kosovës po përballet me mungesë të punëtorëve të kualifikuar, sidomos me ata të nivelit 3-4, ku sipas disa studimeve, 40 për qind e bizneseve nga 800 sosh, nuk mund të plotësojnë pozitat.

Hajdari tha se synojnë që me përkrahjen e bizneseve në blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, të rrisin kapacitet prodhuese, ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe gjetjen e tregjeve për eksport.

“Duke përmirësuar kornizën rregullatore të politikave të industrisë, ndërmarrësisë, tregtare dhe duke përmirësuar shërbimet e infrastrukturës së cilësisë, ne të gjitha këto politika synojmë që t’i zhvillojmë në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian. Për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe zhvillimit të konkurreshmërisë do të avancojmë Kornizën Ligjore për Konkurrencën për Shoqëritë tregtare dhe për të përmirësuar regjistrat e bizneseve që mundësojnë një administrim më efikas të tatimeve. Po ashtu, për përmirësimin e gjithë kësaj reforme do të përfundojmë reformën e përgjithshme të inspektimeve duke miratuar Ligjin për Inspektime”, tha ajo teksa shtoi se është e rëndësishme të ketë një analizë edhe për zonat ekonomike.

Skënder Rama, udhëheqës i programit USAID Compete se do të përkrahin proceset për zgjidhjen e barrierave të identifikuara. Ai tha se programi që ai drejton përfshin edhe bashkëpunimin me institucionet e arsimit dhe sektorin privat në aspektin e punëtorëve të kualifikuar, por edhe përmirësimin e qasjes në financa përmes prezantimit të produkteve të reja financiare, siç është financimi i eksporteve.

Sipas tij, duhet të bëhet më shumë nga institucionet shtetërore, por edhe nga sektori privat që të ketë qasje më të lehtë në treg.

“Fusha e parë është qasja në tregje. Konsiderojmë se duhet të bëhet më shumë përmes institucioneve, por edhe me angazhim nga sektori privat që t’i qasemi tregjeve sepse mendojmë se ndryshimet janë duke ndodhur dhe ky indeks tregon që situata është duke u përmirësuar. Ajo çka duhet të bëjmë më shumë është ndryshimi i perceptimit e të bërit biznes në Kosovë. Do të mundohemi që së bashku me institucionet përkatëse dhe sektorin privat të bëjmë këtë ndryshim”, tha Rama.

Teuta Kurshumlija, menaxhere në Stone Castle, përmendi aspektin e vonesave në pagesa si indikatorë negativë në zhvillimin e bizneseve dhe kërkoi intensifikimin e fushatave vetëdijesuese për konsumin e produkteve vendore.

Si kompani, ajo tha se eksportojnë më shumë se 70 për qind të produkteve që prodhojnë, por shtoi se Qeveria e Kosovës mund të angazhohet më shumë në kërkimin e tregjeve.

Sipas Indeksit të këtij viti, të publikuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, indikatorët që lidhen me lehtësinë e tregtisë ndërkombëtare janë vlerësuar më së larti me një mesatare prej 5.61 pikësh, derisa indikatorët që lidhen me sundimin e ligjit janë vlerësuar më së ulëti me mesatare prej 4.19 pikësh.

Exit mobile version