Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) ka vlerësuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për aprovimin e Projektligjit për Themelimin e Gjykatës Komerciale.
“Fuqizimi i sundimit të ligjit në përgjithësi dhe i drejtësisë komerciale në veçanti, e në këtë aspekt edhe rritja e efikasitetit në zbatueshmërinë e kontratave janë parakusht i rëndësishëm për nxitjen e investimeve të brendshme dhe tërheqjen e investimeve të jashtme. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e vlerëson pozitivisht aprovimin nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të Projektligjit për Themelimin e Gjykatës Komerciale”, thuhet në komunikatën e OEAK.
Oda Amerikane vlerëson se një vendim i tillë i Qeverisë së Kosovës, do të ndikojë pashmangshëm në ngritjen e sigurisë juridike në të bërit biznes, duke përmirësuar klimën e investimeve, e rrjedhimisht edhe imazhin e Kosovës para investitorëve të huaj.
Duke qenë edhe përgjigje ndaj propozimit të Odës Amerikane që nga viti 2016, për themelimin e një gjykate të veçantë e cila do të trajtonte në mënyrë efikase dhe profesionale kontestet e natyrës komerciale, aprovimi i Projektligjit në fjalë nga ana e Qeverisë, kontribuon edhe në avancimin e dialogut publiko-privat.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të përmbyllë Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, e në këtë aspekt edhe aprovimin e Strategjisë së Sundimit të Ligjit të vendit.