Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) shprehu shqetësimin sot se vendet e pasura, të kërcënuara nga shfaqja e variantit Omicron, mund të shtojnë përpjekjet për grumbullimin e vaksinave kundër COVID-19.
Kjo siç u vlerësua do të shkaktonte sërish probleme në zinxhirin e furnizimit global dhe do të ndërlikonte përpjekjet për të shtypur pandeminë, raporton agjencia AP.
Pas një takimi të panelit të saj të ekspertëve të vaksinimit, Agjencia e Shëndetit e OKB-së përsëriti kundërshtimin e saj ndaj përdorimit të gjerë të dozave përforcuese në disa vende, duke argumentuar se vendet me furnizime të mjaftueshme mund të dërgojnë doza në vendet me të ardhura të ulëta që përgjithësisht nuk kanë qasje në vaksina.
“Ajo që do ta ndalojë sëmundjen është të vaksinohen të gjithë ata që janë veçanërisht të rrezikuar nga sëmundja”, tha Kate O’Brien, kreu i departamentit të OBSh-së për imunizimin, vaksinat dhe produktet biologjike.
“Ndërsa ne hyjmë në situatën Omicron, sido që të jetë, ekziston rreziku që oferta globale të përfundojë përsëri në vendet me të ardhura të larta që, në një farë mënyre mbi-akumulojnë vaksinat mbrojtëse”, tha O’Brien.