Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) në kuadër të takimeve me përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare priti në takim Atdhe Lila, i angazhuar nga USAID & Akademia e Drejtësisë në Kosovë si trajner në fushën e ICT Law.
Sipas një komunikate të OAK, qëllimi i këtij takimi ishte marrja e inputeve direkt nga bizneset dhe përfaqësues të bizneseve për vështirësitë të cilat po i hasin gjatë realizimit të të drejtave të tyre pranë organeve gjyqësore e fushën e drejtësisë së ICT-së.
“Në kuadër të këtij takimi po ashtu u diskutua lidhur me përpilimin e një Moduli të Trajnimeve për Gjyqtar, Prokuror, staf mbështetës dhe zyrtar shtetëror, me qëllim të ngritjes profesionale në fushën e ICT-së. Përfaqësues nga OAK theksuan se ky sektor i ekonomisë është shumë potencial për zhvillimin ekonomik të vendit, ashtu që eksporti i shërbimeve të ICT kalon vlerën prej miliona eurove, duke qenë një prej sektorëve më me potencial për zhvillim dhe rritje në të ardhmen. Andaj, rritja dhe fuqizimi i vazhdueshëm i këtij sektori, do të bëjë që të paraqiten edhe konteste gjyqësore në fushën e ITC, mirëpo fatkeqësisht gjyqësori nuk është i gatshëm për të trajtuar dhe shqyrtuar lëndë të kësaj fushe, duke pasur parasysh faktin se në Kosovë është shumë i vogël numri i juristëve të profilizuar në fushën e ICT-së, e kjo ka bërë që shumë lëndë gjyqësore të kësaj natyre të mos marrin trajtimin e duhur gjyqësor”, thuhet në komunikatë.
Përfaqësuesi i këtij projekti, Lila theksoi se programi i USAID për Drejtësi Komerciale në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë në Kosovë janë duke organizuar një modul të trajnimeve në fushën e ICT për gjyqtar, prokuror, stafin tjetër mbështetës dhe zyrtar shtetëror.
Përfaqësues nga biznesi Evrotarget theksuan se këto trajnime duhet të organizohet edhe për zyrtar të cilët ushtrojnë funksione publike, me qëllim që të njëjtit të njoftohen për së afërmi me rëndësinë e dixhitalizimit të punëve administrative, pasi që edhe sot e kësaj dite të njëjtit çdo dokumentacion kërkojnë të ju prezantohet vetëm në kopje fizike, duke e mohuar prezentimin e të njëjtave në mënyrë elektorike.
Në fund të takimit, OAK ka paraqitur rekomandimet konkrete, ashtu që ka propozuar që në kuadër të Ligjit për Gjykatën Komerciale, te fushëveprimtaria e kësaj gjykate të përfshihen edhe kontestet në fushën e ITC-së; lëndët gjyqësore të kësaj natyre të ndahen te gjyqtarë të trajnuar dhe profilizuar në fushën e ICT-së; si dhe target grupi i këtij projekti të zgjerohet, ashtu që të përfshihen edhe trajnime për ndërmjetësuesit, me qëllim që kontestet e kësaj natyre të zgjidhen në procedurat e ndërmjetësimit, si mënyrë alternative e zgjidhjes së kontesteve.
Këto rekomandime u mirëpriten nga Lila, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë komerciale, mes OAK-së dhe USAID-it.