UBT News

​Nushi: Drejtësia selektive nuk është drejtësi, ajo është konfirmim i padrejtësisë

Partia Social Demokrate ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale pas vendimit të saj për dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Nol Nushi nga kjo parti tha se shprehja e gjykatëses “Not in my name” apo “Jo me emrin tim”, është e papranueshme për secilin qytetar të Kosovës. Sipas tij, me këtë arsyetim ajo gjykatë nuk është e atij populli dhe nuk buron nga vullneti i popullit.

“Është vendi ku janë marrë në pyetje me qindra luftëtarë të lirisë për krimet e supozuara që edhe ata i kanë bërë. “NOT IN MY NAME” ose “JO ME EMRIN TIM”, rrjedh prej gjykimit të fundit që e pamë që përveç dënimit maksimal që na tronditi të gjithëve, shprehja që thoshte që ky gjykim është në emër të popullit ishte ajo që ishte e papranueshme për pothuajse secilin qytetar të Kosovës. Në fillim të seancës ku gjyqtarja dëshiron ta dënojë komandant Calin ajo fillon me një arsyetim shumë të madh politik se pse kjo gjykatë qenka gjykatë e popullit. Normalisht ato gjykata që veprojnë në emër të popullit nuk japin këso arsyetime. Pikërisht ai arsyetim i asaj gjyqtare na tregon se ajo gjykatë nuk është e atij populli dhe nuk buron nga vullneti i populli”, ka thënë Nushi.

PSD gjatë aksionit simbolit përballë zyrave të Eulex-it në Kosovë tha se drejtësia speciale nuk është drejtësi.

“Ne nuk jemi kundër drejtësisë, nuk jemi kundër çfarëdo gjykimi që ka për thelb drejtësinë, mirëpo drejtësia speciale nuk është drejtësi, drejtësia selektive nuk është drejtësi, ajo është konfirmim i padrejtësisë dhe po i bëhet dëm i madh Kosovës në secilin aspekt, edhe në historikun e luftës së saj çlirimtare dhe në bazat e saj që është pavarësia që vjen nga lufta e drejtë e UÇK-së”, tha Nushi.

Nushi ka ftuar gjithë qytetarët e vendit të shtunën në protestë kundër Gjykatës Speciale, pas vendimit të saj për dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Exit mobile version