UBT News

​Nuk kalon rezoluta e PDK-së për ndërprerje të grevës

Rezoluta e propozuar nga PDK-ja lidhur me grevën e përgjithshme në arsim dhe administratë publike nuk mori mbështetjen e mjaftueshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Në vazhdimin e punimeve të seancës parlamentare në të cilën fillimisht në rend dite ishte votimi i kësaj rezolute lidhur me grevat, vetëm 22 deputetë votuan për, 39 kundër dhe 6 abstenuan.

Pas debatit parlamentar për grevat që u mbajt dje dhe në javën e kaluar, pati disa pika në rezolutën e propozuar nga PDK-ja. Në pikën e parë të kësaj rezolute i kërkohet Qeverisë që në afat prej 48 orësh nga miratimi i saj në Kuvend të zhvillojë negociatat e nevojshme me Këshillin Grevist të BSPK-së apo personat e autorizuar të BSPK-së deri në zgjidhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës.

Si pikë e dytë i kërkohet Qeverisë po ashtu që brenda 5 ditësh nga miratimi rezolutës të përfshijë përfaqësuesit e autorizuar të BSPK-së në Grupin Punues për hartimin e Projektligjit të Pagave, para miratimit të tij dhe të marr në konsideratë propozimet e tyre.

Dhe në pikën e tretë të kësaj rezolute që e lexoi dje në seancë parlamentare shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i kërkohet Qeverisë të adresojë masat për kërkesat tjera të sindikatave.

Përveç kësaj rezolute, në rend të ditës janë edhe disa Projektligje të mbetura nga seancat e kaluara, një ndër to edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. 

Exit mobile version