Përkundër që Qeveria e Kosovës ka shtyrë për 48 orë vendimin për shqiptimin e gjobave për pronarët e makinave me targa ilegale, njohësi i sigurisë, Drizan Shala po kërkon nga Qeveria që ta anulojë vendimin për targa.
Sipas tij, kërkesa e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier erdhi pas dështimit të Bashkimit Evropian për të arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.
“Mendoj se Qeveria e Kosovës me kryeministrin Kurti duhet sa më parë që është e mundur të mbledhë qeverinë dhe ministrat përkatës dhe të votojë që në fazën e atij votimi të jetë i inkorporuar anulimi i kompletit procesit sa i përket çështjes së targave dhe pastaj bartja e përgjegjësisë t’i bartet garantuesit të vetëm të Republikës së Kosovës, ShBA-së dhe në kuadër të këtij 48 orëshi të arrihet në një takim të shpejt formal të Departamenti Amerikan të Shtetit me sekretarin Blinken dhe kështu të koordinohen veprimet e mëtutjeshme që në afatin e ardhshëm 48 orësh Kosova të marr instruksionet e duhura dhe të marr pozicionet e duhura dhe në rrugëtimin e saj për arritjen e një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë të jetë në tavolinën e bisedimeve jo vetëm faktori evropian, por edhe te ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksoi Shala.
Tutje Shala ka thënë se Qeveria e Kosovës është një adoleshente në vendime politike. Sipas tij, me këto veprime Kurti po rrezikon pozicionin e Kosovës.
“Mendoj që Qeveria e Kosovës për një shtyrje unë mendoj se në aspektin diplomatik është një adoleshent në vendimet politike që është duke i marr në kurriz të Republikës së Kosovës sepse po cenohet dhe po rrezikohet pozicionimi i Kosovës që ka pas deri më tani që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe bashkë rrugëtimin me faktorin ndërkombëtar në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ai.
Njohësi i sigurisë, Drizan Shala duke besuar që do të arrihet një zgjidhje për çështjen e targave me ndërmjetësimin e ShBA-së parashikoi se cili mund të jetë modeli i një marrëveshjeje sesi të zbatohet çështja e targave pas 48 orësh.
“Bazuar në informata relevante ka kërkuar që kjo çështje të prolongohet dhe të gjendjet një alternativ e mundshme dhe kjo çështje të mos vazhdoj tutje. A ekzistojnë modalitete të cilat mund të sjellin një rezultat. Bazuar në motivet në të cilat është duke u angazhuar ambasadori amerikan në Kosovë sa i përket gjetjes së një zgjidhje optimale unë mendoj se në tavolinë ekzistojnë dy modele apo opsione të cilat ne duhet t’i kemi për bazë dhe duhet t’i analizojmë me kujdes të shtuar duke mos lënduar procesin në të cilin është garanci ShBA-në. Opsioni i parë është që qytetarët e komunitetit në Republikën e Kosovës mund t’i konvertojnë targat e tyre ilegale me akronime të qyteteve të Kosovës në tabela KS për një periudhë të caktuar kohore, dhe pas asaj të vazhdohet me tabela provuese akronime RKS dhe kështu deri atëherë kemi një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Tentativa është që nga konteksti teknik i targave të shndërrohet në kontekst politik dhe kështu projekti frako-gjerman është në rrezik e sipër dhe këtë nuk do ta lejojë faktori ndërkombëtar”, theksoi Shala.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shtyrë për 48 orë vendimin për shqiptimin e gjobave për pronarët e makinave me targa ilegale. Kërkesa për shtyrje të këtij vendimi erdhi nga ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Kërkesa e ShBA-së erdhi pasi palët gjatë takimit të djeshëm në Bruksel nuk arritën tek një zgjidhje për çështjen e targave.