Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim për zyrtarin policor F.M, i cili dyshohet se në orët e vona të së premtes ka qëlluar me armë kolegun e tij Lirim Haxholli, i cili nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi konfirmoi për KosovaPress se Gjykata ka caktuar 30 ditë paraburgim për F.M, i dyshuar për vrasje, ndërsa pesë zyrtarëve policorë u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak. Këta të fundit dyshohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.
Ndryshe, të premten vonë në një ndejë në Zllatar të Prishtinës nga të shtënat me armë ka vdekur polici Lirim Haxholli.
Një person është arrestuar për vrasje, pesë të tjerë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm ndërsa 9 zyrtarë policor të pranishëm në ndejë janë suspenduar nga puna.
Polici Lirim Haxholli është varrosur sot pasdite në varrezat e Prishtinës.