Një muaj paraburgim i ka caktuar Gjykata Themelore në Gjakovë personit me inicialet N.M., të arrestuar nga Policia e Kosovës për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të posedimit të narkotikëve.
Në një komunikatë për media të Gjykatës Themelore në Gjakovë bëhet e ditur se personi në fjalë ka qenë në kërkim nga ana e policisë që nga data 31 korrik, ndërsa është arrestuar më 20 nëntor.
“Me datën 31 korrik 2021 në fshatin Zhub, që çon drejt pikës kufitare ‘Qafë Prush’, në skaj të rrugës janë gjetur shtatë (7) qese najloni të mbushura me substancë narkotike të llojit Marihuanë, në peshë të përgjithshme gjashtë (6) kilogramë e tetëqind e shtatëdhjetë e tetë (878) gramë. I pandehuri ka qenë në kërkim nga ana e policisë dhe me datë 20 nëntor 2021, është arrestuar duke kaluar pikën kufitare në Vërmicë”, thuhet në komunikatë.
Gjykata bën të ditur se me këto veprime i pandehuri N. M., dyshohet të ketë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër kjo e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).