Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar nga shpërthimi i një veture që ndodhi tek një pompë e derivateve në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë. Lidhur me rastin Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet për të parë se si ndodhi e gjithë kjo.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Ferizajt- Sektorin e Hetimeve Rajonale, në mënyrë intensive janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, lidhur me zbardhjen e rastit të shpërthimit të veturës në pompën e derivateve ‘Eida Patroni’ në rrugën magjistrale Ferizaj- Prishtinë”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.
Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion, ndërsa e lënduarja që është punëtore e marketit të pompës është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK.
“Si pasojë e këtij shpërthimi të veturës, një person ka ndërruar jetë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa, lëndime trupore ka pësuar punëtorja e marketit të pompës dhe e njëjta është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, tregohet ndër tjera në komunikatën e prokurorisë.
Tutje thuhet se “Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, janë njoftuar të gjitha njësitë relevante të cilat dje kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe vetura e djegur është dërguar në Stacionin e Policisë për ekzaminim dhe procedura të mëtejshme hetimore. Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se do të vazhdoj hetimet në mënyrë intensive lidhur me këtë rast, deri në identifikimin dhe zbardhjen e plotë të tij”.