Ka nisur takimi mes shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe kryeministrit Albin Kurti.
Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve të Bashkimi Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të vendit.
Takimi po mbahet në Paris pasi të dy gjenden atje për Forumin e Paqes i cili ka nisur sot dhe do të përfundojë nesër.
Në ora 18:00 është planifikuar që Borrell të ketë një takim pune edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Një ditë më parë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se objektiv kryesor i këtyre takimeve është që të vazhdojnë përpjekjet e BE-së për të ndihmuar të dyja palët për të deeskaluar dhe zbutur tensionet aktuale dhe për të arritur përfundimisht përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“Përfaqësuesi i Lartë, si lehtësuesi kryesor i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Beogradit dhe Prishtinës, po vazhdon përpjekjet e tij. Ndoshta e keni vënë re se ai ka folur me të dy ata, me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiq gjatë fundjavës së kaluar. Takimi është një mundësi për të dhënë mesazhet kryesore për të arritur deeskalimin dhe përparimin dhe për të ecur përpara në dialogun e lehtësuar nga BE”, tha Stano.
Para se të nisej drejt Parisit, kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar se mund të kishte një takim trelateral me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria. Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë ai.