UBT News

​Nis një zbritje e lehtë e çmimeve të karburanteve nëpër disa kompani

Përkundër shtrenjtimit enorm të karburanteve nga ora në orë në tregun tonë, sot ka nisur të bie çmimi i tyre nëpër disa kompani përreth 0.16 cent për një litër naftë.

Një litër naftë sa ishte deri dje 1.82 euro në kompaninë “Petrol Company”, sot është 1.65 euro. Në anën tjetër në disa kompani të tjera, çmimet e karburanteve vazhdojnë të jetë deri 1.75 euro.

Ndonëse, edhe kryetari i Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani, paralajmëron se sot do të ketë një zbritje të lehtë të derivative.

Pronari i kompanisë “Petrol Company”, Shkëlzen Jusaj paralajmëron një zbritje të lehtë të këtyre çmimeve në tregun e Kosovës, për arsye siç thotë ai të shtimit të prodhimit të derivateve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje, Jusaj paralajmëron se çmimet do të rikthehen deri në 1.35 euro.

“Çmimet aktuale në “Petrol Company” është 1.65 euro nafta dhe 1.55 euro benzina. Çmimet kanë pësuar një rënie për shkak që SHBA, ka shtuar prodhimin për shkak të refuzimit dhe sanksioneve të produkteve ruse (naftës), dhe me këtë rast sigurisht është shtuar oferta në regjionin tonë dhe në pjesën tjetër të Evropës. Megjithatë lajm i mirë tjetër është se shtetet arabe kanë pranuar ta rrisin prodhimin me ç’rast ka ndikuar menjëherë të ketë rënie në bursat ndërkombëtare, përfshirë edhe regjionin tonë. Ne sipas informatave që i kemi, OPEK-u është duke shqyrtuar mundësinë e rritjes së prodhimit dhe kjo besoj që do të ndikoj në zbritjen e çmimeve në përgjithësi në burës, të cilat reflektojnë direkt edhe në tregun e Kosovës. Është mbi 15-16 centë, ndryshimi prej ditës së djeshme e deri sot”, u shpreh ai për KP.

Afaristi Jusaj ka sqaruar deklaratën e tij të dhënë ditë më parë në media se çmimi i karburanteve mund të shkojë deri në 3.5 euro.

“Kam pasur intervista më herët dhe me gjasë nuk e di sa më kanë kuptuar, sepse kam dal pak prek kontekstit, ku unë kam thënë që ka mundësi me shkuar deri 3 euro e gjysmë. Kisha dashur një me bërë një sqarim, se fjala ka qenë krejt ndryshe. Fjala ka qenë për çështjen e sanksioneve që mund t’i bashkëngjiten edhe Bashkimi Evropian dhe në të njëjtën kohë nuk do të ketë shtim të prodhimit. Ekspertët e fushës e patën thënë që mundet me shkuar deri në 300 dollarë bareli, dhe në këtë rast nëse kishte me shkuar 300 dollarë bareli, ne kemi thënë që mund të del pastaj çmimi në Kosovë deri 3 euro e gjysmë. Mirëpo, sipas rrethanave dhe bisedave që po zhvillohen me Venezuelen, Iranin do të ketë shtim të prodhimit të produktit dhe me gjasë do të ketë një normalizim, dhe nuk do të eskalojnë çmimet ashtu siç është pretenduar… Mund të ketë ndryshime dhe laramani në treg, mirëpo brenda normales”, theksoi ai për KP.

Pas rritjes ekstreme të këtyre çmimeve, Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim t’i subvencionojë çmimet e naftës për bujqit deri 5 milionë euro ose 0.36 cent për litër. 

Exit mobile version