Me sloganin “Prek n’rrush, shijo n’ven”, ka nisur sot edicioni i 22-të i festës së vjeljes së së rrushit “Hardh Fest”, në Rahovec. Edicion ky që do të zgjasë deri më 3 shtator.
Në ceremoninë hapëse, presidentja Vjosa Osmani u shpreh e lumtur që kjo festë tashmë është bërë traditë.
Osmani ka falënderuar vreshtarët rahovecianë që me këtë traditë po arrijnë ta mbajnë gjallë ekonomikisht Kosovën.
“Është kënaqësi se sot jemi në kryeqytetin e bujqësisë, në Rahovec. Sot është një moment i veçante, jam optimiste se do të kemi një sezonë të begatë të rrushit. Vreshtarët e Rahovecit po mbajnë gjallë një traditë të vjetër, ju po e vazhdoni këtë traditë të lashtë, po e gjallëroni ekonomikisht Rahovecin e gjithë Kosovën. Kjo ditë është festë e lidhjes tonë me tokën dhe njëri-tjetrin. Kjo festë sjell gëzim në shtëpitë tuaja e për të gjithë, sepse rrushi zakonisht ndahet me të tjerët. Ndërsa shijojmë shijen e rrushit e të verës, le të reflektojmë edhe për punën e vreshtarëve”, tha Osmani.
I pari i Rahovecit, Smajl Latifi derisa ka falënderuar bujqit për punën, tha se këtë vit komuna ka mbështetur më shumë “Hardh Fest-in”.
“Po e hapim festivalin me organizimin më të mirë në historikun e tij. Hardh Fest është i të gjithëve për më shumë i bujqve. Hardh Festi e ka vendosur Rahovecin në harten e ngjarjeve kultuore e historike të Kosovës, ndërsa Kosovën e ka vendosur në harten e botës. Festival ky që tashmë ka kaluar kufijtë tonë kombëtar. Jam shumë i gëzuar që sivjet kemi gjetur mundësinë të mbështesim Hardh Fest-in më shumë së viteve të kaluara”, tha Latifi.
Me këtë rast, Latifi, ndau gjashtë çmime për vreshtarët më të mirë.
Në këtë ceremoni morën pjesë ministra të kabinetit Kurti, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetarë të Bashkive të Tiranës dhe disa kryetarë nga komuna të tjera të Kosovës.