Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në vizitën e saj të parë në Kosovë, ka deklaruar se Shqipëria do të intensifikojë dhe do të përdorë të gjitha organizmat ndërkombëtarë ku ajo bënë pjesë që të dihet gjenocidi që Serbia ka kryer në Kosovë.
Nikolla është pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glakuk Konjufca, i cili tha se vazhdimisht të dy vendet kanë pasur marrëdhënie të mira, e kjo sipas tij për faktin se jemi një komb.
“Ne vazhdimisht kemi pasur marrëdhënie të mira me Republikën e Shqipërisë dhe me merr mendja që ato diktohen për një fakt te thjeshtë, jemi një komb i cili jeton sot në dy shtete, po edhe përtej këtyre dy shteteve. Prandaj përfaqësuesit e institucioneve tona duhet ta kenë parasysh që ta përfaqësojnë interesin e përbashkët kombëtare ne nuk mund të gjejmë fjalë të mjaftueshme për të shprehur falënderimin për Republikën e Shqipërisë për ndihmën ndër vite”, tha ai.
Konjufca tha se Kosova e ka pasur mbështetjen e shtetit shqiptar pas çdo procesi. Ai u shpreh se tashme Kuvendet e të dyja shteteve kanë hapësirë për të thelluar bashkëpunimin mes tyre.
“Natyrisht që Kosova ka shumë sfida përpara, por meqenëse vazhdimisht po sigurohemi edhe nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë edhe në kryeministri se do të qëndrojnë krahë Kosovës kjo na mbushë me më shumë kurajo se e ardhmja e popullit tonë do të jetë e ndritur, për shkak se ne do të lidhemi më shumë me njëri tjetrin”, tha ai.
Në anën tjetër Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Parlamentin e Kosovës do të jetë një ndër prioritetet e saj. Ajo tha se duhet të bashkëpunojnë të dy vendet që në forumet ndërkombëtare që krimet serbe të bëhen të ditura botërisht dhe të dihet se Serbia ka bërë krime lufte dhe gjenocid.
“Ashtu sikurse duhet të ndërveprojmë, që krimet serbe të bëhen të ditura botërisht dhe bota të bindet se ka bërë krime lufte, gjenocid. Bashkimi Evropian është destinacioni ynë i përbashkët. Shpresojmë që brenda kryesimit slloven, Shqipëria të hap negociatat, ndërsa Kosova të merr liberalizimin e vizave. Shqipëria do të vazhdojë lobimin për liberalizim të vizave për Kosovën”, tha ajo.
Ajo ka ftuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca që të vizitojë Shqipërinë.