Ka përfunduar takimi i ambasadorëve të vendit të QUINT-it me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ishte ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, që para mediave tha se po punojnë me qeverinë për t’u siguruar që Policia e Kosovës të operojë në kushte dinjiteti dhe sigurie.
Hovenier tha po ashtu se “shprehin ngushëllimet tona më të thella për popullin e Kosovës dhe familjet e policit tonë të rënë”.
“Sapo përfunduam takimin me kryeministrin. Ne nuk kemi asnjë deklaratë përtej atyre të lëshuara tashmë nga ambasadat tona apo qeveritë tona. Jemi thellësisht të shqetësuar për situatën, i dënojmë sulmet, po punojmë ngushtë me Qeverinë për të siguruar që Policia e Kosovës të jetë në gjendje të operojë në kushte dinjiteti dhe sigurie. Natyrisht ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për popullin e Kosovës dhe familjet e policit tonë të rënë”, ka thënë Hovenier.
Ambasadorët e pesë shteteve të QUINT-it; i SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuara, Gjermanisë, Italisë dhe Francës u takuan sot në Qeverinë e Kosovës për të biseduar për zhvillimet e fundit në veri, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe dy të tjerë u plagosën nga një grup terrorist serb.