UBT News

​Ngritet aktakuzë ndaj tre personave për rastin e Zhurit ku u vra një polic

Në janar të vitit 2020 u vra një polic nga aksioni në fshatin Zhur të Prizrenit. Njësiti i Policisë së Kosovës ishte duke kryer një operacion antidrogë, kur ndodhi një shpërthim.

Lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj I.B, A.G dhe V.Ç., me dyshimin se kanë kryer veprat penale Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 i KPRK-së dhe Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 i KPRK-së.

“Sipas aktakuzës, të pandehurit I. B. dhe A. G. akuzohen se në fillim të muajit janar 2020, në Prizren, janë furnizuar nga i pandehuri V. Ç. me mjet eksploziv të cilin e kanë fshehur në shtëpinë e të pandehurit I. B. dhe si rezultat i këtyre veprimeve kundërligjore të tyre, me datën 28.01.2020, gjatë bastisjes së kryer nga zyrtarët policorë në shtëpinë e të pandehurit I. B. zyrtarët policorë vijnë në kontakt me lëndën shpërthyese e cila aktivizohet dhe nga shpërthimi mbetet i vrarë një zyrtarë policor dhe dy të tjerë lëndohen rëndë. Të njëjtit akuzohen se në shtëpinë e të pandehurit I. B. kanë poseduar kundërligjshëm eksplozivin e llojit “TNT” në peshë prej 809.1 gram dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ndezës me gjatësi 63 cm”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

I pandehuri tjetër V. Ç. akuzohet se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo materiale plasëse me të cilat kishte prodhuar eksplozivin për të akuzuarit tjerë dhe të njëjtin ua kishte shitur atyre për 400 euro.  

Exit mobile version