UBT News

​Ngrihet aktakuzë ndaj pesë zyrtarëve policorë në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër pesë të pandehurve B.H., E.K., A.L., E.K., dhe E.G., për shkak të veprave penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike në bashkëkryerje, si dhe lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, më 4 shkurt 2021 në Gjakovë, të pandehurit B.H., E.K., A.L., E.K., dhe E.G., duke vepruar në bashkëkryerje në cilësinë e zyrtarëve policorë, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare keqpërdorin autorizimet e tyre duke keqtrajtuar, frikësuar e fyer rëndë personin tjetër, të dëmtuarin B.B.

Ditën kritike, pasi të pandehurit e vërejnë se B.B. nuk i përmbahet sinjalizuesit të semaforit, i vihen pas me veturën e tyre zyrtare, ku i dëmtuari së pari nuk ndalet, por pas një kohe ndalon, del nga vetura duke iu kërkuar falje zyrtarëve policorë dhe iu thotë se është i sëmurë.

Njëri zyrtar policor menjëherë e godet me grusht në kokë duke e rrëzuar në tokë, dhe më pas të gjithë bashkë e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grushte e shqelma në kokë e pjesë të ndryshme të trupit.

Gjithashtu, të pandehurit, duke vepruar në bashkëkryerje, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, me dashje i shkaktojnë lëndim të rëndë trupor B.B., duke e goditur në kokë, në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar thyerje të brinjëve, gjakderdhje në vesh e nofull, e dëmtime të tjera të përshkruara në ekspertizën mjeko-ligjore të grupit të ekspertëve.

Exit mobile version