UBT News

​Ngrihet aktakuzë ndaj një person për keqpërdorim të autoritetit zyrtar

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të dyshuarit L.K., në cilësi të personit zyrtar, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore nga data 14.12.2018 e deri më 12.02.2020, i pandehuri L.K., duke punuar si person zyrtar në komunën e Prizrenit – drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që t’i mundësojë dobi pasurore personit tjetër.

Në një komunikatë për media thuhet se i njëjti ka lëshuar urdhëresa për realizimin e punimeve sipas pozicioneve ku çmimet kanë qenë më të larta, duke tejkaluar edhe porositë për këto pozicione mbi 30% të kontratës.

“I pandehuri L.K., nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që t’i mundësojë dobi pasurore personit tjetër, në rastin konkret dy operatorëve ekonomik, në atë mënyrë që me rastin e hartimit të paramasave të pozicioneve – artikujve, ka ndërhyrë, dhe ka ndryshuar paramasat, të cilat ia ka dërguar zyrtari për energjetikë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike – dëshmitari S.T., dhe më pas në cilësinë e menaxherit të kontratës ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe dy operatorëve ekonomik lidhur me zbatimin e tenderit ‘Ndërtimi i mini-parqeve, furnizimi dhe vendosja në hapësira publike të ulëseve, koshave të mbeturinave dhe ndriçim publik’ në Komunën e Prizrenit, në vlerë prej 289.124.00 euro, ka lëshuar urdhëresa për realizimin e punimeve sipas pozicioneve ku çmimet kanë qenë më të larta, duke tejkaluar edhe porositë për këto pozicione mbi 30% të kontratës, ndërsa në anën tjetër për pozicionet më të ulëta nuk ka kërkuar që këto pozicione të realizohen dhe në këtë mënyrë gjatë realizimit të kontratës i shkakton dëm autoritetit kontraktues – Komunës së Prizrenit në vlerë prej 103,148.34 euro e të cilat fakte janë vërtetuar përmes ekspertizës së prokurimit publik të datës 21.06.2021”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, i pandehuri L.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Exit mobile version