Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.D., dhe S.H., të cilët gjenden në paraburgim për shkak të dyshimit për falsifikim të parasë.
Sipas aktakuzës, nga prilli i vitit 2021 në Prizren, i akuzuari S.H., në kioskën e tij së bashku me të akuzuarin B.D., në bashkëkryerje marrin, blejnë, vënë në qarkullim, pranojnë apo posedojnë para të falsifikuara, me qëllim të vënies së tyre në qarkullim.
“I pandehuri S.H., blen nga i akuzuari B.D., 2000-1000-200-400-200 euro, gjithsej 3800 euro – monedha të metalta nga 2 euro të falsifikuara, dhe për këtë shumë B.D., ia ka dhënë-paguar 1600-800-160-320-160 euro, gjithsej 3040 euro kartëmonedha në origjinal. I akuzuari S.H., monedhat metalike të falsifikuara prej 2 euro i vë në qarkullim, ashtu që blen mall për kioskë, cigare, pije si dhe kryen pagesa të tjera.
Po ashtu, në këtë periudhë kohore i akuzuari B.D., u shet edhe personave të tjerë monedha metalike të falsifikuara nga 2 euro në këmbim të kartëmonedhave origjinal duke i zbritur 20% nga shuma e ofruar”, thuhet në komunikatë.
Me këto veprime, të pandehurit B.D., dhe S.H., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Falsifikimi i parasë” sipas KPRK-së.